Punëtori humb jetën pasi goditet nga rryma elektrike gjatë instalimit të dekorimeve në një bredh festash
Një punëtor rreth moshës 40-vjeçare ka ndërruar jetë pasi u godit nga rryma elektrike, ndërsa po vendoste ndriçuesit festivë në një bredh Krishtlindjesh, në qendrën tregtare Brent Cross në veri të Londrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në mëngjes, pikërisht ndërsa punëtori po vendoste dekorimet. Ai u transportua menjëherë në spital, por fatkeqësisht humbi jetën të enjten, siç raporton gazeta “Metro”.
Pas incidentit, qendra tregtare u mbyll përkohësisht, ndërsa punonjësit e dyqaneve brenda saj u njoftuan me anë të një mesazhi urgjent. Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje dhe pikëllim të thellë në mesin e punëtorëve dhe subjekteve tregtare që operojnë në qendër.
Ndërkohë, deputeti laburist i zonës së Hendonit, David Pinto-Duschinsky, shprehu ngushëllimet për vdekjen e punëtorit, duke e përshkruar rastin si një lajm tejet të dhimbshëm.
