Trajneri i sapoemëruar i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka bërë një krahasim interesant mes pritshmërive të larta te “Seleçao” dhe eksperiencës së tij te Real Madridi.
Italiani pranoi se në Brazil ekziston një etje e jashtëzakonshme për të fituar sërish Kupën e Botës, duke e krahasuar këtë dëshirë me obsesionin e Real Madridit për “La Decima”, trofeun e dhjetë të Ligës së Kampionëve.
“Kam gjetur një situatë të ngjashme me atë që përjetova te Real Madridi,” deklaroi Ancelotti. “Këtu mungon titulli botëror prej shumë vitesh dhe dëshira për ta fituar është e madhe. Më kujton obsesionin që kishte Reali për ‘La Decima’.”
Brazili nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002 dhe kërkon trofeun e gjashtë në histori, i njohur si “O Hexa”. Pikërisht për këtë arsye, Federata Braziliane vendosi t’ia besojë drejtimin njërit prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit.
Ancelotti do ta nisë aventurën e tij në Botërorin 2026 me objektivin për t’i dhënë fund pritjes 24-vjeçare të brazilianëve dhe për ta rikthyer “Seleçaon” në majën e futbollit botëror.
