Shqetësim në kampin e Iranit: Trupi i pajetë gjendet pranë qendrës stërvitore
Një ngjarje tragjike ka shkaktuar shqetësim në ambientet e Kombëtares së Iranit, e cila po përgatitet për Kupën e Botës 2026. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, një trup i pajetë është zbuluar në afërsi të kompleksit stërvitor ku është vendosur përfaqësuesja iraniane, në Tihuana të Meksikës.
Autoritetet lokale nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje. Deri më tani, nuk ka të dhëna që e lidhin incidentin drejtpërdrejt me ekipin kombëtar iranian apo me ndonjë anëtar të delegacionit.
Ky lajm ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare, veçanërisht duke pasur parasysh vëmendjen dhe tensionet që shpesh shoqërojnë praninë e Iranit në evente të tilla globale.
Megjithatë, burimet zyrtare kanë konfirmuar se aktiviteti i skuadrës vazhdon normalisht. Lojtarët po përgatiten për ndeshjet e tyre sipas programit të parashikuar.
Policia po punon intensivisht për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa priten informacione të reja në orët në vijim.
