Anita Haradinaj reagon për dasmën: Artistët kënduan pa pagesë, si shenjë respekti
Anita Haradinaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe komenteve denigruese të shprehura në rrjetet sociale lidhur me dasmën e nipit të saj, Luan Haradinaj. Ajo theksoi se nuk do t’u kushtojë vëmendje kritikave.
Në emisionin “Kosova Today”, Haradinaj theksoi se dasma nuk duhet të pengojë askënd dhe se familja e saj ka treguar gjithmonë respekt për njerëzit. Ajo shtoi se suksesi i një personi nuk duhet të jetë pengesë për të tjerët. Haradinaj sqaroi se të gjithë këngëtarët që performuan në dasmë e bënë këtë pa pagesë.
“Dasma nuk duhet t’i pengojë askujt. Na kanë nderuar dhe respektuar të gjithë njerëzit që janë vërtet dashamirës. Hodhi poshtë profilet e rreme dhe komentuesit me qëllime të caktuara në rrjetet sociale. Përndryshe, njerëzit e tjerë na kanë respektuar, nderuar dhe uruar,” u shpreh ajo në Klan Kosova.
Haradinaj shpjegoi se pjesëmarrja e artistëve ishte një “dhuratë”, një shenjë mirënjohjeje për sakrificën e familjes dhe babait të djalit (referuar dëshmorit Luan Haradinaj). “Ne kemi pasur madje ‘problem’ [në kuptimin e kërkesave të shumta] me këngëtarët që shprehën dëshirën të ishin pjesëmarrës, qoftë edhe për një këngë,” theksoi Haradinaj.
Ajo shtoi: “Më vjen keq për mendësinë e njerëzve të tillë, por nuk dua t’u jap vëmendje. Kam punuar 25 vjet në lajme dhe vij nga një familje e mirë.”
Lidhur me pjesëmarrjen e saj në politikë, Anita Haradinaj u përgjigj shkurt dhe qartë: “Politika për mua është art, është e bukur kur di ta bësh bukur. Nuk pres asgjë, jam pajtuar me faktin se ka ardhur koha e brezave të rinj.”
