Evropa pritet të përballet këtë fundjavë me temperatura jashtëzakonisht të larta. Pjesa më e madhe e kontinentit po përgatitet për një valë të fortë të nxehti, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme në pranverë po shndërrohen në “normalen e re”.

Në Spanjë, shërbimi meteorologjik AMET ka paralajmëruar se Gadishulli Iberik do të përjetojë temperatura të pazakonta për këtë periudhë të vitit, duke arritur deri në 38°C në disa lugina si ato të Guadiana dhe Guadalquivir. Edhe netët priten të jenë të nxehta, me temperatura që nuk do të zbresin nën 20°C, të njohura si “net tropikale”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat mund të arrijnë deri në 33°C, duke rrezikuar të thyejnë rekorde për muajin maj, sidomos në jug të Anglisë dhe Midlands. Moti parashikohet të jetë i thatë dhe me diell.

Në Gjermani, termometri pritet të shënojë rreth 30°C, ndërsa në disa rajone mund të arrijë deri në 31°C. Në Francë, veçanërisht në Paris, priten temperatura deri në 33°C gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme.

Në Itali, Roma do të përjetojë temperatura rreth 31°C. Ndërkohë, në Portugali, kryeqyteti Lisbonë pritet të shënojë rënie graduale nga 31°C në 27°C gjatë ditëve të fundjavës, sipas raportimeve të Euronews.