**Arrestohet 25-vjeçari në Ferizaj: Kërkohej me urdhërarrest dhe gjendet me armë zjarri**
Një 25-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Sojevë të Ferizajt. Ai ishte objekt i një urdhërarresti aktiv të lëshuar nga gjykata dhe gjatë kontrollit policor iu gjet edhe një armë zjarri me fishekë.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës, ka ndodhur rreth orës 23:25, kur një patrullë e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor ndaloi për kontroll një automjet tip “Opel Meriva” me targa vendore. Gjatë verifikimit të pasagjerit, personi me inicialet L.T., 25 vjeç, rezultoi të ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Po ashtu, gjatë kontrollit, pranë tij u gjet një pistoletë me pesë fishekë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe njësitë reaguese, ndërsa i dyshuari u shoqërua në stacionin policor dhe u intervistua nga hetuesit. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është nisur një procedurë për armëmbajtje pa leje. Më pas, ai u dërgua për të vuajtur një dënim me burg prej 20 ditësh, për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, për të cilën kërkohej me urdhërarrest.
