Policia e Lezhës ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili dyshohet se goditi me automjet nënën e partneres së tij, duke e lënë të plagosur, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës.
Sipas njoftimit zyrtar, 28-vjeçari C.B., banues në Tiranë, shkoi me automjet për të marrë partneren e tij rreth orës 02:05. Në këtë moment, në banesë dolën familjarët e saj. Për motive që lidhen me mosmarrëveshje familjare, autori dyshohet se përplasi me makinë viktimën K. H., 43 vjeçe, nënën e partneres së tij. Pas goditjes, ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve intensive të Policisë së Lezhës, në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, autori u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
E dëmtuara u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale, automjeti i përdorur në ngjarje u sekuestrua nga Policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.
