Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, ka finalizuar tri faza të operacionit policor “The Wanted”, duke çuar në arrestimin dhe ekstradimin e tre personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.

Në Rinas u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimi, shtetasi B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam, Holandë. Ai kërkohej nga Gjykata Qendrore e Hetimit nr. 1 në Madrid, Spanjë, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Nga hetimet e Policisë Gjyqësore Spanjolle, dyshohet se B. B. ishte i përfshirë në një organizatë kriminale të qëndrueshme, që merrej me trafikimin e kokainës kryesisht në Costa del Sol dhe zona të tjera.

Njëkohësisht, në Rumani, autoritetet vendase bënë arrestimin e shtetasit A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. A. H. dyshohet se, në janar të vitit 2018, në Tiranë, në bashkëpunim me shtetas të tjerë të organizuar në grup kriminal, ka vrarë me armë zjarri shtetasin D. K. Gjatë hetimeve, në banesat e tyre u sekuestruan 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis) dhe një numër i madh bimësh kanabisi.

Ndërkohë, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Manchester, u realizua ekstradimi nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, drejt Shqipërisë i shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Xh. H. dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, rast i zbuluar dhe goditur në nëntor të vitit 2022, në fshatin Drenovicë, Berat.

Policia e Shtetit thekson se operacioni ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar vijon në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.