Arsenali në Finalen e Champions League, Arteta: Do të japim gjithçka kur të vijë momenti i PSG-së
Arsenali ka siguruar vendin në finalen e Champions League për herë të dytë në historinë e tij, pasi eliminoi Atletico Madridin në gjysmëfinale. “Topçinjtë” do të përballen me kampionin në fuqi, Paris Saint-Germain, në ndeshjen e madhe të 30 majit.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, u shpreh i sigurt për sfidën e madhe, duke theksuar se skuadra do të japë maksimumin kur të vijë momenti i përballjes me ekipin francez.
“Është çfarë është. E dinim nivelin e kundërshtarit që do të kishim përballë, qoftë Bayern Munich apo PSG. E dimë cilësinë që ata posedojnë. Por, padyshim, jemi gjithashtu shumë të sigurt se kur të vijë ai moment, do të japim gjithçka që kërkohet,” deklaroi Arteta, para sfidës me West Hamin në Premier League.
Arsenali po zhvillon një sezon ambicioz, duke luftuar në dy fronte. Ata kryesojnë tabelën e Premier League, me vetëm tre ndeshje të mbetura, ndërsa synojnë edhe triumfin në Champions League për herë të parë në historinë e klubit.
/IndeksOnline/
