**BBC: Si po përpiqet Starmer të “rivendosë” marrëdhëniet me Bashkimin Evropian**

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian zhvilluan samitin e tyre të parë të përbashkët që nga Brexit-i në maj 2025, duke prezantuar një partneritet të ri strategjik, të përshkruar si një “rivendosje” e marrëdhënieve dypalëshe.

Një samit tjetër parashikohet të mbahet këtë verë. Javën e kaluar, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se qeveria e tij “do të përcaktohet nga rindërtimi i marrëdhënies sonë me Evropën”. Sipas BBC-së, lidhjet janë forcuar në disa fusha kyçe:

* **Studimi jashtë vendit (Erasmus):** Mbretëria e Bashkuar do t’i rikthehet skemës së shkëmbimit studentor Erasmus nga viti 2027. Kjo do t’u mundësojë studentëve britanikë të studiojnë për një vit në universitetet evropiane pa tarifa shtesë, si pjesë e programeve të tyre të diplomës, dhe anasjelltas për studentët evropianë.

* **Peshkimi:** Anijet e BE-së do të kenë qasje të vazhdueshme në ujërat britanike deri në vitin 2038. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të dakordohet për kuota vjetore dhe të lëshojë licenca për të kontrolluar aktivitetin e peshkimit në ujërat e saj.

* **Eksportet bujqësore:** Në shkëmbim të zgjatjes së rregullave të peshkimit, Mbretëria e Bashkuar ka siguruar një marrëveshje për reduktimin e kontrolleve mbi eksportet ushqimore drejt BE-së. Kjo do të thotë heqjen e shumicës dërrmuese të kontrolleve mbi dërgesat e kafshëve dhe bimëve drejt dhe nga Bashkimi Evropian.

* **Mbrojtja dhe siguria:** Është krijuar një pakt zyrtar MB-BE për mbrojtjen dhe sigurinë. Zyrtarët do të takohen çdo gjashtë muaj për të diskutuar politikën e mbrojtjes dhe atë të jashtme.

* **Portat elektronike të pasaportave (e-gates):** Pushuesit britanikë do të kenë mundësinë të përdorin portat elektronike në më shumë aeroporte evropiane. Çdo shtet anëtar i BE-së do të vendosë nëse qytetarët britanikë mund të përdorin portat elektronike në pikat e tij kufitare, por qeveria britanike ka premtuar se do të punojë për të zgjeruar këtë qasje “sa më shpejt të jetë e mundur”.