**Aksident tragjik në Dollc të Klinës: Një i vdekur dhe katër të lënduar pasi automjeti ra në humnerë**

Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Dollc të Klinës, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë pësuar lëndime. Automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një humnerë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 04:55. Menjëherë pas raportimit, njësitet e Policisë së Trafikut dhe ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.

Si pasojë e aksidentit, një person ka ndërruar jetë në vend, ndërsa katër persona të tjerë janë lënduar. Të lënduarit janë transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën, megjithatë njëri prej tyre është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të specializuar.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë momentet pas aksidentit, ku dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka vërejtur përfundimin e rrugës, çka ka bërë që automjeti të dalë nga aksi rrugor dhe të bjerë në thellësi.