**Kosova renditet e dyta më e varfër në Evropë për vitin 2025, Murati thekson përparimin nga pozita e fundit**
Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2025, të publikuara nga platforma WorldAtlas, e renditin Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë, pas Moldavisë. Në reagim ndaj këtyre shifrave, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm, duke u ngritur nga pozita e fundit që mbante në qeverisjet e kaluara.
Murati ka argumentuar se një analizë e plotë e trendit do të tregonte se Kosova, kur mori qeverisjen aktuale, ndodhej në fund të renditjes evropiane për nga varfëria. Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë një ngritje në këtë tabelë.
“Po të ishte gazetaria si duhet, do ta kishte paraqitur gjithë trendin si ka qenë. Kosova ka qenë e fundit kur ne morëm qeverisjen dhe tash kemi një ngritje më lartë në atë tabelën e renditjes,” ka thënë Murati.
Ministri shpjegoi se deri në vitin 2019, diferenca ekonomike e Kosovës me vendet e tjera evropiane ishte thelluar, duke bërë që këto të fundit t’i largoheshin gjithnjë e më shumë. Megjithatë, sipas Muratit, qeverisja aktuale jo vetëm ka arritur të ngushtojë këtë diferencë, por “edhe kemi kaluar një shtet.” Ai shprehu pritshmërinë që ky trend të vazhdojë dhe, me një qeverisje të mirë, Kosova të tejkalojë edhe shtete të tjera.
Duke iu referuar raportimit të FMN-së për të ardhurat për kokë banori të bazuara në fuqinë blerëse, Murati theksoi se nuk po bën vlerësime personale, por po drejton vëmendjen te trendi. “Unë vetëm theksova se, nëse shikohet trendi, pyetja do të mund të ishte shtruar pak më ndryshe, sepse trendi tregon që Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera,” deklaroi ai.
Ai përsëriti se “kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kaluar Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet e tjera nëse vazhdohet ky trend.”
