Brukseli: Besim i plotë te SPAK, nuk komenton drejtpërdrejt rastin e Vlora Hysenit

Bashkimi Europian nuk ka komentuar drejtpërdrejt çështjen e Vlora Hysenit, ish-drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), e cila është vënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Megjithatë, nga Brukseli ka ardhur një mesazh i qartë mbështetjeje për Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Zëdhënësi i Komisionit Europian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, i pyetur lidhur me rastin, deklaroi se Brukseli nuk komenton çështje që janë ende në proces. Ai shtoi: “Ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm.”

Duke vijuar më tej, Mercier shprehu qartë mbështetjen e BE-së për SPAK-un. Ai u shpreh: “Kemi besim të plotë në aftësinë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar.”

Kjo nënkupton se Brukseli nuk komenton fajësinë apo pafajësinë e Vlora Hysenit, as provat e përfshira në dosje. Megjithatë, në nivel institucional, qëndrimi i tij është i qartë në mbështetje të SPAK-ut dhe vijimit të hetimit.

Mercier bëri të ditur gjithashtu se kontaktet me autoritetet shqiptare janë të vazhdueshme. “Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë,” theksoi zëdhënësi i BE-së.