**Bedri Hamza dhe Arian Tahiri deklarojnë pasuritë: Banesa, vetura dhe shuma të konsiderueshme parash**

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar pasurinë e tij, e cila përfshin tri banesa (një prej të cilave në emër të bashkëshortes), një shtëpi të trashëguar, tri garazhe dhe një tokë. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur pronësinë e dy veturave, të regjistruara në emër të fëmijëve dhe bashkëshortes së tij.

Në deklaratën e tij, Hamza ka specifikuar edhe para të gatshme në vlerë prej 10,765 euro, ndërsa mbi 2,000 euro të tjera janë në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve. Ai ka deklaruar edhe dy kredi aktive. Të ardhurat e tij vjetore arrijnë në 19,694 euro, kurse të bashkëshortes dhe fëmijëve janë rreth 13,000 euro.

Ndërkohë, deputeti Arian Tahiri, i cili dikur ka shërbyer si nënkryetar nën drejtimin e Hamzës, ka paraqitur një deklarim të pasurisë që e portretizon si një kursimtar të madh.

Në deklarimin e tij për vitin 2022, Tahiri ka përfshirë blerjen e një banese në vlerë 118,000 euro, si bashkëinvestim me bashkëshorten. Kjo blerje është realizuar përmes ndërrimit të banesës paraprake dhe një kredie bankare. Po atë vit, ai ka blerë edhe një garazh me vlerë 6,000 euro, sërish si bashkëinvestim me bashkëshorten, si dhe një parking në vlerë 9,000 euro në emër të bashkëshortes.

Gjithashtu në vitin 2022, Tahiri ka deklaruar një veturë të blerë për 30,000 euro, e financuar me kursime personale dhe kredi, dhe e regjistruar në emër të bashkëshortes. Ndër pasuritë e deklaruara, ai përfshin edhe një banesë tjetër në vlerë 35,000 euro, regjistruar në emër të bashkëshortes, si dhe një veturë tjetër me vlerë 18,000 euro, për të cilën ka deklaruar se paratë janë siguruar nga kursimet personale dhe mbështetja familjare.

Pavarësisht blerjeve të shumta të banesave, veturave, parkingjeve dhe garazheve nga kursimet e tij, Tahirit i kanë mbetur 39,370 euro para të gatshme. Ai ka deklaruar edhe afër 15,000 euro (14,773 euro) nga pagat e prindërve dhe bashkëshortes, si dhe 2,200 euro në llogaritë e fëmijëve.

Sa i përket të ardhurave vjetore, Tahiri ka deklaruar 14,208 euro si pagë (pa specifikuar institucionin), 12,923 euro të ardhura nga Komuna, 4,950 euro dividentë nga kompania e tij dhe 7,500 euro nga shitja e një veture. Mbi 53,000 euro të tjera vijnë nga bashkëshortja dhe prindërit e tij.

Deputeti Tahiri, në emër të prindërve, ka deklaruar pyje, ara, toka, livadhe, kullosa dhe një shtëpi, të gjitha të trashëguara, me një vlerë totale prej 223,000 euro.

Megjithatë, pavarësisht se ka deklaruar blerjen e banesës dhe veturave me kredi, Tahiri nuk ka ofruar detaje mbi shumën apo periudhën e kthimit të këtyre kredive. Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të “Betimi për Drejtësi” lidhur me ekzistencën e ndonjë kredie aktive.