Jude Bellingham shkëlqen në “Azteca” me dy gola të shpejtë, tifozët bien dakord: Një lojtar për ndeshjet e mëdha
Performanca mbresëlënëse e Jude Bellingham, i cili shënoi dy herë brenda vetëm 98 sekondave kundër Meksikës, ka bërë që tifozët të dalin në përfundimin unanim: ai është një lojtar i dedikuar për momentet kyçe dhe ndeshjet e mëdha.
“Estadio Azteca” mbeti i shtangur. Meksika nuk kishte pësuar asnjë gol në këtë Kupë Bote deri në përballjen me Anglinë, por gjithçka ndryshoi kur Bellingham goditi dy herë brenda më pak se dy minutash.
Pas një fillimi relativisht të qetë të takimit, Bellingham zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë me kokë në shtyllën e dytë, pas një aksioni të shkëlqyer nga krahu i Bukayo Sakas.
Vetëm 98 sekonda më vonë, ylli i Real Madridit shënoi sërish, këtë herë nga afërsia, duke dyfishuar epërsinë e Anglisë në ndeshjen e 1/8 së finales.
Ishte një pjesë e parë për t’u mbajtur mend për Bellingham, i cili u bë lojtari i parë që shënon dy gola në “Azteca” në një ndeshje të Kupës së Botës që nga Diego Maradona në vitin 1986, kur argjentinasi realizonte ndaj Belgjikës në gjysmëfinale.
Ndërsa mesfushori festonte në mënyrën e tij tashmë të njohur, shumë tifozë në rrjetet sociale u pajtuan për të njëjtën gjë: Bellingham është “big game player”, një lojtar që shfaqet pikërisht kur skuadra e tij ka më së shumti nevojë.
Komente të shumta vërshuan, si: “Jude Bellingham është vërtet një lojtar për ndeshjet e mëdha,” shkroi një tifoz.
Një tjetër komentoi: “Jude Bellingham rezulton vendimtar vazhdimisht. Lojtar absolut i momenteve të mëdha.”
Një i tretë shtoi: “Jude Bellingham është i lindur për ndeshje të mëdha me Anglinë. Ai gjithmonë shfaqet në rastet më të rëndësishme.”
Një tjetër tifoz theksoi: “Jude Bellingham është një lojtar i madh për ndeshjet e mëdha. Krosim fantastik nga Saka dhe finalizim i shkëlqyer.”
Ndërsa një koment tjetër përmblodhi gjithçka me entuziazëm: “JUDE BELLINGHAM. Ndeshje e madhe. Moment i madh. Lojtar i madh. Jude performon sërish. Numri 5 i Real Madridit vazhdon të shkëlqejë në skenën më të madhe.”
Është e vështirë të besohet, por para nisjes së Kupës së Botës, Bellingham nuk konsiderohej domosdoshmërisht titullar i padiskutueshëm për Anglinë. Në disa ndeshje kualifikuese, Morgan Rogers ishte preferuar shpesh para tij në mesfushë.
Këtë fakt e theksoi edhe trajneri Thomas Tuchel në fillim të qershorit, duke deklaruar: “Ai është një nga titullarët, por ne kemi 14 ose 15 lojtarë që mund të jenë titullarë. Këto role mund të ndryshojnë, por për momentin mendoj se kemi rreth 14 ose 15 titullarë të vërtetë, dhe Jude është një prej tyre. Ai duket në formë të mirë, si në stërvitje. Mendoj se aktualisht është në një moment shumë të mirë, sepse ka pasur pushimin e tij dhe ka etje për t’u rikthyer në fushë pas lëndimit – kjo është normale. Ai është shumë i lumtur që është kthyer në fushë. Në këto raste, ai e shijon çdo moment.”
Pas kësaj paraqitjeje të shkëlqyer në “Azteca”, pyetja është e thjeshtë: ku do të ishte Anglia pa Jude Bellinghamin? Vështirë të imagjinohet.
Burimi: GazetaExpress
