Mikel Oyarzabal, heroi i heshtur i Spanjës – antidoti i Ronaldos?

Mikel Oyarzabal përfaqëson gjithçka që Cristiano Ronaldo nuk është në këtë fazë të karrierës: i heshtur, modest, i përqendruar te ekipi dhe gjithmonë i gatshëm të bëjë “punën e pisët” për skuadrën.

Pikërisht ky profil mund ta vendosë atë në qendër të vëmendjes në përballjen e rëndësishme të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Portugalisë.

Oyarzabal ishte një nga pesë lojtarët e Real Sociedadit në skuadrën e Spanjës për Euro 2024. Asnjë klub tjetër nuk kishte më shumë përfaqësues. Por as ai, as bashkëlojtarët e tij baskë nuk bënë shumë bujë për rolin e tyre në suksesin e Spanjës në Gjermani.

“Kështu jemi ne”, kishte thënë Oyarzabal për “The Guardian”. “Nuk na pëlqen të jemi në qendër të vëmendjes.”

Megjithatë, për të po bëhet gjithnjë e më e vështirë të qëndrojë larg vëmendjes.

Përballja e së hënës mes Spanjës dhe Portugalisë në Dallas, në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Botës, natyrshëm po prezantohet si dueli Lamine Yamal kundër Cristiano Ronaldos. Dhe kjo është plotësisht e kuptueshme.

Në njërën anë është adoleshenti i talentuar, me magji në këmbë, që synon të forcojë statusin e tij si një nga lojtarët më të mirë në botë. Në anën tjetër është një prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërave, që po shijon “vallëzimin e fundit” në skenën më të madhe të futbollit.

Por për ata që e kanë nënvlerësuar prej shumë kohësh Oyarzabalin, tashmë është e qartë se heroi i heshtur i Spanjës mund të jetë lojtari që përcakton fatin e ndeshjes në Arlington. Në fakt, sulmuesi 29-vjeçar duket pikërisht si lloji i lojtarit që Portugalia do të donte ta kishte në majë të sulmit në vend të Ronaldos: një lider i qetë, i përulur dhe që e vendos gjithmonë ekipin para vetes.

**I pazakonti në garën për Këpucën e Artë**

Në një Kupë Botërore të ndriçuar nga super yje, Oyarzabal duket si emri më i papritur në garën për golashënuesin më të mirë të turneut.

Të gjithë prisnin që Kylian Mbappe, Lionel Messi, Erling Haaland, Harry Kane dhe Ousmane Dembele të luftonin për Këpucën e Artë. Por pothuajse askush nuk e konsideronte Oyarzabalin në këtë diskutim, gjë që, nëse shihen shifrat, është pak e çuditshme.

Në fund të fundit, ishte pikërisht Oyarzabal ai që shënoi golin e fitores për Spanjën në finalen e Euro 2024. Ai shënoi gjithashtu në pesë ndeshje kualifikuese të Spanjës për Kupën e Botës, ndërsa në të vetmen ndeshje ku nuk gjeti rrjetën, kundër Turqisë, dha tri asistime.

**Legjenda e qetë**

Me golin e shënuar në miqësoren e fundit të Spanjës para Botërorit, kundër Perusë, Oyarzabal e çoi numrin e golave në 12 në 11 paraqitjet e fundit me kombëtaren.

Ai vinte gjithashtu nga sezoni më produktiv i karrierës së tij në La Liga, me 15 gola në 34 ndeshje, ndërsa ruajti edhe një statistikë të jashtëzakonshme: kishte shënuar në çdo finale ku kishte luajtur, përfshirë edhe triumfin e Real Sociedadit ndaj Atletico Madridit në Kupën e Mbretit (Copa del Rey).

Me këto shifra kaq mbresëlënëse, pyetja është e thjeshtë: si arriti Oyarzabal të vinte në Amerikën e Veriut pothuajse pa zhurmë?

Ndoshta kjo ishte e pashmangshme. Sepse legjenda e qetë e Baskisë duket se është mjeshtër për të fluturuar nën radar, duke qëndruar larg vëmendjes.

**Si i shpëtoi Guehit**

Mjafton të kujtohet goli i tij fitues në Euro 2024. Kur Oyarzabal ia pason topin menjëherë Marc Cucurellas, Marc Guehi ndodhet pikërisht pranë tij. Megjithatë, është sikur nuk e vë re fare.

Në vend që ta mbajë afër sulmuesin spanjoll, Guehi shikon rreth e rrotull për ndonjë rrezik tjetër. Por në atë moment është tashmë vonë. Oyarzabal i është shkëputur dhe devijon krosimin e ulët të Cucurellas përtej Jordan Pickfordit.

**”Njeriu i padukshëm”**

Oyarzabal veproi në të njëjtën mënyrë edhe në fitoren 3-0 të Spanjës ndaj Austrisë në 1/8 e finales.

Kur topi shkoi te Cucurella në krahun e majtë, në zonë ndodheshin gjashtë lojtarë austriakë dhe tre spanjollë. Alex Baena dhe Dani Olmo ishin të mbuluar nga afër, por Oyarzabal jo, edhe pse qëndronte në qendër të zonës. Në fund, ai e dërgoi topin në rrjetë me një qetësi pothuajse të pabesueshme, për të hapur rezultatin.

Aftësia e tij për të mos rënë në sy u pa edhe më qartë te goli i dytë. Edhe pse Austria po shtynte përpara në minutat e fundit, linja e saj mbrojtëse ishte plotësisht e vendosur. Megjithatë, askush nuk e vuri re “njeriun e padukshëm” të Spanjës, para se ai të finalizonte me gjakftohtësi një tjetër krosim të Cucurellas.

Ky ishte goli i tij i 17-të në 16 ndeshjet e fundit si titullar për kombëtaren.

**Rreziku i Ronaldos po zbehet**

Natyrisht, duhet pranuar se Ronaldo rrallë i shpëton një mungese të tillë vëmendjeje. Lëvizjet e personalitetit më të famshëm të futbollit dhe një prej finalizuesve më të mëdhenj në histori pothuajse kurrë nuk kalojnë pa u vënë re.

Për këtë arsye, merita duhet t’i njihet Ronaldos për mënyrën se si ende arrin të krijojë hapësira për vete në këtë Botëror, sidomos duke pasur parasysh se tashmë është 41 vjeç.

Ai ishte shumë pranë një goli të bukur në fitoren e Portugalisë ndaj Kroacisë në raundin e 1/16-tës, por iu anulua për një pozicion jashtë loje minimal.

Megjithatë, nuk mund të shmanget fakti se Ronaldo nuk paraqet më të njëjtin rrezik ndaj kundërshtarëve cilësorë.

Ai shënoi golin e parë në fazën eliminatore të Kupës së Botës nga pika e bardhë në Toronto, por performanca e tij nuk ishte aspak bindëse. Madje, këtë herë edhe Roberto Martinez e pranoi tërthorazi, duke e zëvendësuar shënuesin më të mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar rreth 10 minuta para fundit.

Për më tepër, Portugalia siguroi kualifikimin në 1/8 e finales falë lojtarit që shpesh është përdorur shumë pak, Goncalo Ramos. Ai shënoi me kokë golin e fitores në minutën e 94-t, pasi iu besua roli për të udhëhequr sulmin pas zëvendësimit të Ronaldos, i cili kishte prekur topin vetëm një herë brenda zonës.

Meqenëse Ronaldo nuk ndikon më shumë në lojë jashtë zonës, është e vështirë të mos vihet në dyshim vlera e kontributit të tij për Portugalinë nëse ai nuk arrin të bëjë dallimin as brenda zonës. Sidomos tani që përballë do të ketë një Spanjë që ende nuk ka pësuar gol në këtë Botëror.

**Futbollist i kompletuar**

Një nga arsyet kryesore pse Spanja ka mbajtur portën e paprekur është përkushtimi i gjithë skuadrës për të punuar fort në rimarrjen e topit sa herë që e humb.

Siç e kishte theksuar vetë Oyarzabal, puna kolektive ka qenë thelbësore në serinë prej 34 ndeshjesh pa humbje të Spanjës.

“Luis de la Fuente ia ka theksuar skuadrës: puno për shokun e skuadrës, jo për përfitimin tënd personal. Këto janë vlerat që trajneri përfaqëson”, kishte thënë ai.

Dhe pikërisht Oyarzabal është ndoshta lojtari që e mishëron më së miri këtë filozofi në fushë.

De la Fuente e përshkruan sulmuesin e tij të parë si “një futbollist të kompletuar” dhe është i lumtur që një karakter kaq “me këmbë në tokë” më në fund po merr “vlerësimin e merituar”.

Jo se Oyarzabal e kërkon këtë vëmendje. Ai është një lloj “anti-Ronaldoje”: i fokusuar vetëm te puna e tij dhe te ndihma për skuadrën.

Ai madje këmbëngul se nuk e shqetëson nëse nuk shënon më asnjë gol tjetër në këtë Kupë të Botës, për sa kohë Spanja fiton.

“Ajo që ka rëndësi është që familja ime është këtu”, tha ai pas dopietës ndaj Austrisë, që ia çoi shifrën në katër gola në turne. “Dhe gjëja më e rëndësishme është objektivi ynë i përbashkët.”

Në këtë kuptim, Oyarzabal nuk mund të ishte më ndryshe nga Ronaldo, si lojtar dhe si personalitet. Por kjo nuk e bën aspak më pak të rrezikshëm si fitues të mundshëm të ndeshjes në Dallas.

Përkundrazi, pikërisht kjo mund të jetë arsyeja pse ai përfundon duke ia marrë vëmendjen një prej super yjeve më të mëdhenj të futbollit.