**Igli Tare zbulon Guardiolën e vitit 2001: Skemat taktike me copa buke dhe pirunj**
Ish-futbollisti dhe drejtuesi i njohur, Igli Tare, ka ndarë së fundmi një detaj të veçantë nga koha kur luante bashkë me Pep Guardiolën në klubin italian të Brescias, në vitin 2001. Në atë periudhë, Guardiola ishte ende futbollist, pasi kishte mbyllur një kapitull të rëndësishëm te Barcelona dhe sapo kishte mbërritur në Brescia, ku do të gjente mes të tjerëve Roberto Baggion dhe pikërisht Taren.
Për Taren, Guardiola nuk mbahet mend vetëm për kontributin e tij në fushë. 25 vite më vonë, ish-sulmuesi shqiptar rrëfen një detaj të pazakontë nga ditët që kaluan bashkë. Një detaj që, duke parë sot karrierën e Guardiolës si trajner i madh, duket thuajse profetik.
“Një nga gjërat më të bukura në eksperiencat e mia ka qenë mënyra sesi ai e shikonte botën e futbollit që në atë kohë. Ai në darkë gjente mundësinë të shpjegonte taktikën duke përdorur pjesë buke, gota, pirunj apo thika, kështu që ishte diçka shumë e veçantë!” – shprehet Tare.
Ky rrëfim tregon një Guardiola që, edhe pse ishte ende futbollist, e shihte futbollin përtej 90 minutave të ndeshjes. Në tavolinë, gjatë darkave, pjesët e bukës, gotat, pirunjtë dhe thikat shndërroheshin në lojtarë dhe pozicione, ndërsa ai u shpjegonte shokëve të skuadrës mënyrën se si e perceptonte lojën.
Tare kujton edhe një tjetër element që i ka mbetur në mendje nga personaliteti i Guardiolës: “Ishte një djalë shumë i thjeshtë, dhe kjo të bënte ta ndjeje thjeshtësinë e madhe që ata kishin si njerëz.”
Në atë kohë, askush nuk mund ta dinte se lojtari spanjoll që kishte mbërritur në Brescia do të ndërtonte vite më vonë një karrierë të jashtëzakonshme si trajner. Për Taren, megjithatë, Guardiola i vitit 2001 dhe Guardiola që bota njeh sot kanë diçka të përbashkët thelbësore. “Ajo që ka qenë më e bukura është se Guardiola që kemi parë sot, ka qenë i njëjti njeri edhe kur ka qenë futbollist,” thekson Tare.
Marrëdhënia mes tyre nuk përfundoi me largimin nga Brescia. Tare tregon se kanë ruajtur kontaktet ndër vite dhe ka pasur mundësi ta takojë sërish Guardiolën, edhe gjatë kohës kur ai drejtonte Manchester Cityn. “Kam pasur mundësinë edhe ta vizitoja Guardiolën në një ndeshje të Premier Ligës kundër Nottingham Forest dhe kemi ndenjur bashkë pas ndeshjes për gati dy orë për të biseduar e për të folur.”
25 vite pas atyre darkave në Brescia, ku një copë buke apo një pirun mund të shndërrohej në pjesë të një skeme taktike, Tare e sheh ende Guardiolën si të njëjtin njeri që kishte njohur atëherë. Ky rrëfim, bashkë me pamje të rralla të vitit 2001 dhe historitë e një karriere që nisi në Brescia e vijoi në Lazio dhe Milan, është pjesë e dokumentarit ekskluziv “Igli Tare – Të shkruash historinë”, realizuar nga gazetari Endi Tufa.
