Blerim Kuçi, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, ka paralajmëruar për rrezikun e përsëritjes së një krize institucionale në vend, duke theksuar nevojën urgjente për qartësi kushtetuese. Ai e ka cilësuar vakumin institucional si të papranueshëm.

Gjatë një vizite tek banorët e Budakovës dhe të Stravuçinës, Kuçi ka njoftuar se me ta ka diskutuar shqetësimin se Kosova “po hyn në një paqartësi kushtetuese të rrezikshme”.

Ai ka theksuar se mandati gjashtëmujor i Ushtruesit të Detyrës së Presidentit është drejt skadimit, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës është shpërndarë. Sipas Kuçit, më 4 tetor, Kosova rrezikon të mbetet pa President dhe pa ushtrues detyre të Presidentit.

“Vakumi institucional është i papranueshëm për një shtet demokratik dhe kërkon reagim të menjëhershëm,” ka deklaruar ai.

Kandidati i LDK-së ka konsideruar se “nevojitet urgjentisht qartësi kushtetuese, institucione funksionale dhe zgjidhje serioze, para se kjo krizë të shndërrohet në precedent”.

Më tej, Kuçi ka deklaruar se, nëse zgjidhet deputet, do të angazhohet që kjo çështje të trajtohet me prioritet, me ekspertizë dhe përgjegjësi të plotë shtetërore, deri në plotësimin e plotë të boshllëqeve ligjore.