Aktori i njohur Brad Pitt dhe partnerja e tij, Ines de Ramon, kanë qenë sërish në qendër të vëmendjes së mediave dhe fotografëve në Los Anxhelos, teksa janë shfaqur bashkë në një dalje publike.

Dyshja ishte e pranishme në hapjen solemne të Mercedes AMG në “Sixth Street Bridge”, ku u panë të pandarë gjatë gjithë mbrëmjes. Ata ecën dorë për dore dhe shkëmbyen gjeste përzemërsie para syrit të kamerave.

Në tapetin e kuq, Pitt u shfaq me një stil klasik, i veshur me një kostum ngjyrë bezhë. Nga ana tjetër, Ines de Ramon spikati me një fustan të kuq elegant, duke kompletuar kështu një pamje magjepsëse të çiftit.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre për ta mbajtur lidhjen larg vëmendjes së publikut, daljet e tyre të përbashkëta vijojnë të mbeten në qendër të fokusit të mediave rozë, sidomos pas zhvillimeve të fundit në jetën personale të aktorit.