Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion, në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha ka folur mbi zhvillimet e fundit për furnizimin me autobusët elektrikë, raporton Ekonomia Online.

Braha në një deklarim për media u shpreh se ky projekt është transformim i tërë Trafikut Urban.

“Kjo ngjarje e ditëve të fundit ka treguar një interesim edhe një ngazëllim jashtëzakonisht të madh të qytetarëve të Prishtinës. Ne e kemi për obligim me ju treguar të gjithëve që ky nuk është një proces i veçuar edhe i veçantë, por është një program i tërë i transformimit të transportit publik urban, i cili ka filluar që në vitet e para të qeverisjes, mandatin e parë të kryetarit Rama dhe është duke vazhduar. Në fazat në vazhdim është modernizimi i flotës, është riformatimi i linjave dhe rritja e frekuencës në të gjitha linjat kryesore të qytetit”, ka thënë ai.

“Te modernizimi i flotës, edhe Trafiku Urban, edhe operatorët privatë kanë obligim kontraktual me Komunën e Prishtinës me e modernizuar flotën. Komuna e Prishtinës bën një rol shumë aktiv në këtë pjesë, në këtë objektiv, për me arrit këtë objektiv. Ka filluar procesi, momentalisht janë modernizuar 26 autobusë të operatorëve privatë, janë nëpër qytet, janë duke operuar. Ka autobusë elektrikë, ka autobusë hibridë, ka autobusë dizel të standardit Euro 6, por autobusë të rinj. Janë duke u modernizuar e duke ardhë, këta 15 i kemi në modernizim e sipër. Edhe Trafiku Urban me 30 autobusë të tjerë, prej të cilëve 6 janë elektrikë dhe 24 me dizel. Është një proces që nuk mund të ndalet. Ka pengesa, ka bllokada. Bllokadat janë të qëllimshme, por procesi si proces do të vazhdojë”, tha Braha.

Braha tha se nuk kanë ardhë akoma autobusët elektrikë, por pret që brenda dy muajve të jenë në terren.

“Jo, priten me ardhë, kanë kohën e vet të liferimit. Këto makineri industriale, nuk janë makineri komerciale që mundesh me hy në një dyqan edhe me i ble. Zakonisht porositen, bëhen me porosi edhe merr kohë pjesa e porosisë e të gjitha, por besoj që brenda tetë jave mund të jenë në terren”, tha Braha.

Ndërsa, ka bërë thirrje që ministri në detyrë Hekuran Murati të ndalë bllokadën.

“Ministri Murati ka bërë një thirrje, një postim publik. Është në të drejtën e tij me bë postime publike çfarëdo edhe me pasë bindje çfarëdo. Ne i bëjmë thirrje me ndal bllokadën. Na i ka ndal 2 milionë euro të blerjes së autobusëve për Trafikun Urban. Janë të bllokuara pa asnjë të drejtë ligjore. Janë mjetet e çuara në rezervë, edhe pse kanë kaluar në buxhetin e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës. Momentin që kalojnë në buxhetin e Kuvendit Komunal, nuk ka të drejtë askush me i prekë ato linja buxhetore e me marrë vendim tjetër. Ata kanë marrë vendim të tillë në mënyrë arbitrare dhe i kanë qitë në rezervë. Po na bëjnë pengesë në blerjen e autobusëve, por ne nuk do të ndalemi edhe atë pjesë të bllokadës do ta zhbllokojmë. Sa herë kemi bë veprime, sa herë kemi pasë përparime, sa herë kemi pasë projekte, kemi hasë në pengesa të tilla”, tha Braha.

Braha theksoi se për pjesën e reformës në Trafikun Urban janë marrë të gjitha masat dhe ekspertizat edhe me ekspertë ndërkombëtar.

“E mira është që ky vend është demokratik, i ka institucionet e veta, janë institucionet e pavarura, secili institucion e ka për detyrë me kry punën e vet. Ne vazhdojmë me tonën, e dimë që jemi në rregull. Për pjesën e reformës së transportit publik urban nuk kemi punuar të vetëm, nuk kemi punuar kokë më vete. Kemi pasë ekspertizë jashtëzakonisht të BERZH-it, prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Është një ekspertizë që është dhënë në krejt Evropën edhe në shumë vende të tjera të botës. Janë praktika që janë përcjellë në të gjitha vendet e botës, nuk janë të shpikura prej neve. Janë edhe direktiva të Komisionit Evropian se si duhet me shku.

Për më tepër, kjo qeveri në nivel qendror, sot është duke tentu me repliku zgjidhjen që e kemi bë ne në Prishtinë. Janë duke e krijuar Autoritetin Qendror të Transportit Publik, duke e krijuar me të njëjtat këshilla që i kemi marrë ne prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe prej të njëjtëve konsulentë që i kemi marrë ne këto këshilla. Kështu që nuk po besoj që mund të ketë diçka të tillë. Bllokadat vazhdojnë, edhe puna jonë vazhdon”, tha Braha para gazetarëve.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi ndaj këtij projekti, duke e cilësuar në kundërshtim me ligjin. Ai ka thënë se ofrimi i shërbimeve të transportit publik përmes operatorëve privatë duhet të bëhet sipas procedurave të parapara me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat ligjore të kërkuara për një projekt të tillë.

“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko Privat. Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, ka shkruar Murati në Facebook.