**Bugaqku: Gjuha e ashpër para fushatës tensionon politikën dhe tregon boshllëk ligjor për ndëshkim**
Me afrimin e fushatës zyrtare zgjedhore, përplasjet verbale mes partive politike janë intensifikuar si në tubimet me qytetarë, ashtu edhe në rrjetet sociale. Vullnet Bugaqku, studiues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (IDK), thekson se kjo gjuhë e ashpër rrezikon të tensionojë klimën politike dhe të largojë vëmendjen nga programet zgjedhore. Ai po ashtu ngre shqetësimin për mungesën e bazës ligjore për sanksionimin e një sjelljeje të tillë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Bugaqku u shpreh se sjelljet e tilla nga partitë politike janë të papranueshme, pasi “dëmtojnë dhe cënojnë parimet themelore demokratike të një procesi zgjedhor të drejtë”. Ai paralajmëroi se çdo gjuhë e papërshtatshme, e përdorur qoftë gjatë fushatës apo edhe para saj, mund të tensionojë situatën politike. Kjo, sipas tij, rrezikon ta shndërrojë garën zgjedhore nga një debat idesh dhe programesh në një fushë linçimesh, etiketimesh dhe sulmesh brutale, të drejtuara ndaj grupeve politike, etnike apo edhe kandidatëve sipas gjinisë ose përkatësisë tjetër. “Për ne, këto janë sjellje të papranueshme,” theksoi ai.
Bugaqku vuri në dukje një boshllëk ligjor, pasi legjislacioni zgjedhor aktualisht nuk parashikon sanksione për gjuhën e përdorur para nisjes zyrtare të fushatës. “Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret e KQZ-së nuk e sanksionojnë përdorimin e kësaj gjuhe para fushatës,” shpjegoi ai. Si pasojë, megjithëse partitë politike mbajnë tubime dhe aktivitete ku përfaqësuesit e tyre përdorin gjuhë të papërshtatshme, ata ligjërisht nuk mund të ndëshkohen, pasi ende nuk ka nisur zyrtarisht periudha zgjedhore. Rregullorja zgjedhore parashikon ndëshkime ndaj subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre vetëm brenda periudhës zyrtare të fushatës. Për këtë arsye, ai theksoi se në këtë fazë është ligjërisht e pamundur të parashtrohen ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të sanksionohen kandidatët apo mbështetësit për gjuhën e tyre. Bugaqku beson se në të ardhmen duhet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet.
Ai theksoi nevojën për ndryshime ligjore që do të mundësonin ndëshkimin e sjelljeve dhe gjuhës së përdorur edhe në periudhën jozyrtare të fushatës. “Duhet të rregullohen qartë të gjitha sjelljet e partive politike dhe të kufizohen periudhat kohore se kur realisht një aktivitet mund të cilësohet si fushatë zgjedhore,” tha ai. Ligji, sipas tij, duhet të parashikojë mundësinë e ankesave dhe sanksioneve edhe për ata që nisin garën dhe sulmet më herët, pra në periudhën jozyrtare. Bugaqku e cilësoi këtë sjellje si etikisht të papranueshme. Ai sqaroi se ndonëse nuk ekziston asnjë normë juridike që mund të rregullojë fjalët e individëve sa herë që shfaqen publikisht, përdorimi i formulimeve apo frazave denigruese ndaj rivalëve tregon mungesë etike. “Kandidatët duhet të japin shembull të mirë dhe të shërbejnë si model për qytetarët se si ndërtohet dhe zbatohet një platformë politike pas fitores në zgjedhje dhe gjatë qeverisjes së vendit,” shtoi ai.
Lidhur me atë çfarë duhet të dominojë gjatë fushatës zyrtare, Bugaqku theksoi se partitë duhet të fokusohen në programe konkrete dhe debate për çështje me interes publik. “Fokusi duhet të jetë te programet politike, me premtime konkrete dhe të zbatueshme, që ofrojnë ide inovative për zhvillimin ekonomik, arsimin, forcimin e drejtësisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare me aleatët,” deklaroi ai. Megjithatë, ai vuri në dukje se aktualisht mungojnë programet e mirëfillta nga partitë politike, si dhe debatet cilësore që shpalosin ide dhe koncepte për përmirësimin e gjendjes në Republikën e Kosovës. Ai shpreson që me hyrjen zyrtare në fushatë, subjektet politike do të prezantojnë platformat e tyre specifike për fusha të caktuara.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur, gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, në një takim me qytetarë iu referua ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me termin “frizere”, një deklaratë që provokoi reagime të shumta nga kandidatë të partive politike, por edhe nga vetë Osmani. Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, reagoi duke theksuar se nuk e kishte ofenduar Osmanin dhe se, sipas tij, “një pseudo-gazetar e kishte ndërprerë dhe e kishte përdorur termin ‘frizere’”.
