Qumështi: Përfitimet dhe sfidat e konsumit ditor

Që prej fëmijërisë, qumështi është prezantuar si një aleat thelbësor për rritjen. Megjithatë, me kalimin e viteve, qasja ndaj produkteve të bulmetit ka evoluar, duke sugjeruar se konsumi i tepërt i tyre mund të shkaktojë probleme me tretjen, mbipeshën dhe çështje të tjera shëndetësore.

Pikëpyetjet janë të shumta, sidomos për ndikimin që pirja çdo ditë e qumështit tradicional ka në organizëm, raporton AgroWeb. Më poshtë, paraqiten disa nga aspektet kryesore:

**Qumështi dhe ndikimi në peshën trupore**
Konsumi ditor i qumështit mund të kontribuojë në rënien në peshë, veçanërisht tek gratë, pasi ka një përmbajtje të ulët kalorish dhe është i pasur me lëndë ushqyese. Megjithatë, përveç këtij përfitimi, gratë shpesh përballen me fryrje barku, një efekt anësor i zakonshëm i konsumit të qumështit.

**Qumështi si burim proteinash**
Qumështi i lopës është një burim i shkëlqyer proteinash. Çdo 30 ml përmban rreth 1 gram proteinë me cilësi të lartë, të pasur me aminoacide thelbësore. Kjo ndihmon në frenimin e oreksit dhe në ruajtjen e ndjesë së ngopjes për një kohë të gjatë. Përkundrazi, alternativat bimore zakonisht kanë një përmbajtje më të ulët proteinash, duke i bërë ato më pak të plota nga ky aspekt.

**Ruajtja e masës muskulore**
Falë përmbajtjes së tij në aminoacide, qumështi kontribuon në ruajtjen e masës muskulore. Proteina shtazore e qumështit të lopës përthithet lehtësisht nga organizmi, duke ndihmuar në forcimin e muskujve.

**Një burim i pasur me kalcium dhe vitaminë D**
Qumështi është një burim i rëndësishëm vitaminash dhe mineralesh, sidomos kalciumi dhe vitaminës D. Ndonëse kalciumi mund të gjendet edhe në barishte, do të ishte e nevojshme të konsumoheshin dhjetë racione spinaq për të përfituar të njëjtën sasi kalciumi sa në një gotë të vetme qumështi lope.

**Mbrojtja kundër plakjes dhe osteoporozës**
Konsumi ditor i qumështit mund të ndihmojë në parandalimin e osteoporozës tek gratë. Vitamina D e pranishme në qumësht është thelbësore për ruajtjen e shëndetit të kockave dhe masës muskulore me kalimin e moshës. Është vërejtur se humbja e masës muskulore si pasojë e plakjes është më e theksuar tek gratë krahasuar me burrat.

**Roli në parandalimin e sëmundjeve**
Për shkak të përmbajtjes së vitaminave A, K2 dhe acideve yndyrore, qumështi dhe nënproduktet e tij mund të luajnë një rol në parandalimin e sëmundjeve si diabeti dhe ato të zemrës.

**Aspektet negative: Aknet dhe inflamacioni**
Megjithatë, duhet theksuar se konsumi i përditshëm i qumështit mund të shkaktojë inflamacion dhe të nxisë shfaqjen e akneve, të cilat shpesh janë të vështira për t’u trajtuar.

**Problemet me tretjen dhe fryrja e barkut**
Për disa individë, stomaku e ka të vështirë të përpunojë qumështin. Me kalimin e moshës, sistemi tretës mund të dobësohet, duke bërë që qumështi të shkaktojë fryrje të theksuara që mund të zgjasin gjatë gjithë ditës. Për më tepër, qumështi i pasterizuar dhe i përpunuar mund të përmbajë baktere, të mira dhe të këqija, të cilat prishin ekuilibrin e mikrobiomës së zorrëve. Kjo mund të çojë në probleme afatgjata si në sistemin tretës, ashtu edhe në funksionin kognitiv. Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë konsumin e produkteve të tjera bulmeti më pak të përpunuara, si kosi ose kefiri, krahas qumështit.