**Çitaku pret delegacionin e Institutit Republikan Ndërkombëtar, theksohet forcimi i demokracisë dhe bashkëpunimit**
Vlora Çitaku, ushtruesja detyre e kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), priti në takim një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të kryesuar nga drejtori për Evropë dhe Euroazi, Stephen Nix.
Gjatë takimit, Çitaku shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e IRI-së në forcimin e proceseve demokratike të brendshme në PDK, si dhe në mbështetjen e zhvillimit demokratik të partive politike dhe institucioneve të Kosovës në përgjithësi.
Çitaku theksoi se PDK-ja po hyn në një periudhë të rëndësishme të organizimit të brendshëm, gjatë së cilës do të zgjedhë udhëheqjen e re dhe do të përgatitet për përgjegjësitë dhe sfidat e ardhshme politike.
Drejtori Nix shprehu gatishmërinë e IRI-së për të vazhduar mbështetjen për proceset demokratike në Kosovë dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e institucioneve të qëndrueshme dhe pjesëmarrjes aktive në jetën politike.
Çitaku ritheksoi se vlerat e përbashkëta që promovojnë PDK-ja dhe IRI, si liria, pluralizmi politik, sundimi i ligjit dhe llogaridhënia, përbëjnë një bazë të fortë për qëndrueshmërinë e demokracive liberale përballë sfidave të sotme globale.
