Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar daljen në shitje të biletave për përballjen mes Kosovës dhe Austrisë, e cila do të zhvillohet më 4 tetor 2026, nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” garojnë në Ligën B të Ligës së Kombeve, në Grupin 3, së bashku me Republikën e Irlandës, Austrinë dhe Izraelin.
Kosova do ta nisë kampanjën të enjten, më 24 shtator, me ndeshjen kundër Republikës së Irlandës në Prishtinë, ndërsa më pas e pret një kalendar me përballje të rëndësishme si vendas dhe mysafir.
Pas përballjes me Irlandën, përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje si mysafire: më 27 shtator kundër Austrisë dhe më 1 tetor ndaj Izraelit.
Më 4 tetor, Kosova do të rikthehet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet sërish me Austrinë, këtë herë para tifozëve vendas.
Çmimet e biletave mbeten të pandryshuara
Për këtë ndeshje, çmimet e biletave janë të njëjta me ato të përballjeve të fundit të Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Biletat janë ndarë në katër kategori, varësisht nga pozicioni i ulëseve në stadium:
| Tribuna | Çmimi |
| Veri dhe Jug | 20 euro |
| Lindje | 30 euro |
| Perëndim | 50 euro |
| VIP | 150 euro |
Biletat mund të blihen përmes platformës elektronike eBileta.
Përballja me Austrinë do të jetë ndeshja e katërt e Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe e dyta që “Dardanët” do ta zhvillojnë para publikut vendas.
Pas kësaj sfide, Kosova do të presë Izraelin më 14 nëntor, ndërsa kampanjën në fazën e grupeve do ta përmbyllë më 17 nëntor, me ndeshjen kundër Republikës së Irlandës si mysafire. /GazetaExpress/
