**Legjenda e Mallkimit të Faraonit Tutankhamon: Misteret që ende intriguojnë arkeologjinë**
Zbulimi i varrit të faraonit Tutankhamon në vitin 1922 tronditi botën dhe solli në jetë një prej legjendave më të qëndrueshme të arkeologjisë. Një sërë vdekjesh, sëmundjesh dhe aksidentesh mes atyre që ishin të lidhur me ekspeditën, ushqyen besimin se vendi i prehjes së faraonit të ri mbrohej nga një mallkim vdekjeprurës.
Sot, ndërsa arkeologët po shqyrtojnë mundësinë e gërmimeve për të zbuluar dhoma të fshehura, që mendohet se mund të mbajnë varrin e humbur të mbretëreshës Nefertiti, historitë misterioze rreth të ashtuquajturit “mallkimi i faraonit” janë rikthyer në qendër të vëmendjes.
Megjithëse nuk ka prova shkencore që të mbështesin ekzistencën e një mallkimi të tillë, rrethanat e pazakonta të disa vdekjeve vazhdojnë të nxisin kureshtjen, edhe më shumë se një shekull pas hapjes së varrit.
**Lord Carnarvon, viktima e parë e pretenduar**
Lord Carnarvon, financuesi kryesor i ekspeditës që çoi në zbulimin e varrit të Tutankhamonit, u konsiderua viktima e parë e këtij mallkimi. Ai ndërroi jetë më 5 prill 1923, vetëm pesë muaj pas hapjes së varrit, nga helmimi i gjakut dhe pneumonia, pas infektimit të një pickimi mushkonje në fytyrë. Megjithatë, disa hipoteza sugjeruan se vdekja e tij mund të jetë shkaktuar edhe nga thithja e sporeve të pranishme në varr. Këto thashetheme u përforcuan nga shkrimtari i njohur Sir Arthur Conan Doyle, krijuesi i Sherlock Holmes-it, i cili në një shkrim të botuar në “Glasgow Herald”, sugjeroi se sëmundja fatale e Carnarvonit mund të kishte një shkak mbinatyror. “Një element i lig mund të ketë shkaktuar sëmundjen fatale të Lord Carnarvonit,” citonte ai. “Ne nuk e dimë se çfarë forcash ekzistonin në ato kohë dhe çfarë forme mund të kishin. Egjiptianët dinin shumë më tepër se ne për këto gjëra.”
**Vdekje të tjera misterioze**
Mes të prekurve u përmendën edhe George Jay Gould, një financier i pasur amerikan, i cili u sëmur pak pasi vizitoi varrin si mysafir i Carnarvonit në 1923 dhe ndërroi jetë disa muaj më vonë nga pneumonia. Arkeologu Arthur Mace, i cili bashkëpunoi në pastrimin dhe katalogimin e thesareve të varrit, gjithashtu pati probleme shëndetësore pas punës dhe vdiq në moshën 53-vjeçare nga komplikime të pneumonisë.
Një rast misterioz i lidhur me legjendën është ai i arkeologut Hugh Evelyn-White, i cili kishte hyrë në dhomën e varrimit të faraonit dhe i dha fund jetës në vitin 1924. Raportimet e kohës thonë se ai kishte lënë një shënim ku shkruhej: “Kam rënë viktimë e një mallkimi”. Megjithatë, autenticiteti dhe rrethanat e këtij rrëfimi nuk janë vërtetuar përfundimisht.
**Mallkimi që dyshohet se prekte edhe familjarët**
Disa prej personave të përfshirë në historitë e mallkimit nuk kishin hyrë kurrë në varrin e Tutankhamonit. Njëri prej tyre ishte Aubrey Herbert, gjysmëvëllai i Lord Carnarvonit, i cili ndërroi jetë po ashtu në vitin 1923, pas një infeksioni të gjakut që u shfaq pas një ndërhyrjeje dentare. Ky rast nxiti spekulimet se mallkimi mund të prekte edhe familjarët. Egjiptologu Aaron Ember, mik i disa anëtarëve të ekspeditës, por pa marrë pjesë drejtpërdrejt në gërmime, humbi jetën në vitin 1926 në një zjarr që përfshiu shtëpinë e tij, teksa përpiqej të shpëtonte një dorëshkrim mbi besimet e lashta egjiptiane.
Një histori e pazakontë lidhet me Sir Bruce Ingram, një botues që thuhet se kishte marrë dhuratë nga Howard Carter një dorë të mumifikuar. Ingram e përdorte atë si peshë letrash. Legjenda tregon se pak kohë më vonë, shtëpia e tij u përfshi nga flakët, dhe gjatë rindërtimit, prona u dëmtua sërish nga përmbytjet. Këto ngjarje u interpretuan si dëshmi të mallkimit, megjithëse nuk ka prova për ndonjë lidhje me objektin.
Në tregimet për mallkimin përmendet shpesh edhe Sir Archibald Douglas Reid, një radiolog që, sipas rrëfimeve të viteve 1920, kreu një ekzaminim me rreze X të mumies së Tutankhamonit, pak para se ajo t’u dorëzohej muzeve. Legjenda pretendon se ai u sëmur të nesërmen dhe ndërroi jetë tre ditë më vonë në Zvicër pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sidoqoftë, detajet e këtij rrëfimi bazohen kryesisht në raportime sensacionaliste dhe nuk konsiderohen fakte historike të konfirmuara.
Egjiptologu i njohur James Henry Breasted, pjesë e ekipit të Howard Carterit, lidhet me një histori tjetër të pazakontë. Legjenda thotë se pas zbulimit të varrit, ai gjeti kanarinën e tij të vrarë nga një kobër brenda kafazit. Meqenëse kobra ishte simbol i fuqishëm i mbretërisë dhe mbrojtjes në Egjiptin e lashtë, ky incident u interpretua gjerësisht si një paralajmërim ogurzi për ata që kishin trazuar prehjen e faraonit.
**Howard Carter, njeriu që sfidoi legjendën**
Megjithatë, kundër kësaj legjende qëndron fati i vetë Howard Carterit. Arkeologu britanik, i cili zbuloi varrin e Tutankhamonit, drejtoi gërmimet dhe kaloi brenda tij më shumë kohë se pothuajse kushdo tjetër, duke jetuar edhe 17 vjet pas zbulimit historik. Ai ndërroi jetë nga kanceri në vitin 1939, në moshën 64-vjeçare. Në vend që të pësonte një fund misterioz menjëherë pas hapjes së varrit, Carter vazhdoi jetën dhe punën e tij për shumë vite.
Për historianët, kjo është një dëshmi se “mallkimi i faraonit” ishte më shumë një mit, i ushqyer nga rastësitë, frika dhe raportimet sensacionaliste të mediave. Ndërsa kërkimet për dhomat e fshehura dhe varrin e Nefertitit vazhdojnë të ngjallin interes, legjenda e Tutankhamonit mbetet një dëshmi e fuqisë që misteret e Egjiptit të lashtë kanë mbi imagjinatën njerëzore.
