Dëmtohen simbolet e UÇK-së në Kaçanik, po hetohet zjarrvënia
Policia e Kaçanikut mori sot rreth orës 09:45 një njoftim për dëmtimin e simboleve të UÇK-së te vendi i njohur si “Guri i Shpuar”.
Kanun Veseli, zëdhënës i policisë rajonale të Ferizajt, bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, shefi i operativës, si dhe zyrtarë komunalë bashkë me përfaqësues të OVL-UÇK-së.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dëmtimi është shkaktuar nga persona të panjohur, ndërsa koha e saktë e ngjarjes mbetet e paqartë. “Në afërsi të monumentit u vërejt edhe një zjarr, i cili dyshohet të ketë djegur materialet plastike të shkronjave,” theksoi Veseli.
Me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti me akuzën “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të policisë.
Pamje nga vendi i ngjarjes janë publikuar nga faqja e OVL UÇK-së, dega në Kaçanik.
