Dhjetëra qytetarë nga Zogaj i Vushtrrisë u mblodhën sot në protestë kundër planit për ndërtimin e një kishe në zonën e Zagorës.
Protesta vjen si kundërshtim ndaj veprimeve të “Lëvizjes për Rikthim”, e cila synon ndërtimin e kësaj kishe.
Sipas deklaratave të qytetarëve, arsyeja kryesore e kundërshtimit është mungesa e banorëve në Zagorë, e sidomos e besimtarëve katolikë. Ata theksuan se nuk janë kundër fesë katolike, por kundër atyre që i cilësuan si “rryma përçarëse”.
Protestuesit shprehën shqetësimin se këto lëvizje janë me natyrë përçarëse dhe pretendohen të jenë të orkestruara nga direktiva serbo-ruse.
Në vendngjarje ishin të pranishme forca të shumta policore, të cilat monitoruan situatën për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.
