Mehaj: Dërgimi i FSK-së në Gaza forcon rrugën drejt NATO-s, Kosova po bëhet faktor sigurie global

Dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, përbën një hap të madh për Kosovën. Kështu deklaron ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke theksuar se kjo dëshmon besimin e partnerëve tek Kosova si pjesë e zgjidhjes globale të sigurisë, dhe jo vetëm një vend kërkues i saj. Sipas Mehajt, misionet e tilla forcojnë rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin, z. Mehaj theksoi se Kosova duhet të kontribuojë në sigurinë ndërkombëtare dhe se FSK-ja jo vetëm i plotëson, por në disa aspekte edhe i tejkalon standardet për misione të tilla. Ai e cilëson FSK-në si një instrument të diplomacisë ushtarake, që përmes misioneve të saj dërgon mesazhe të qarta politike, ushtarake dhe diplomatike: Kosova është e gatshme të kontribuojë dhe të qëndrojë krah për krah me aleatët e saj.

Ish-ministri vlerësoi se misionet, pavarësisht rrezikshmërisë së lartë në zona konflikti si Gaza, sjellin përfitime të mëdha për FSK-në dhe Kosovën. Këto përfitime përfshijnë rritjen e përvojës së trupave, forcimin e lidhjeve me partnerët dhe testimin e kapaciteteve në praktikë, duke ndihmuar kështu në përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Ai shtoi se politika shtetërore duhet të shfrytëzojë këtë moment për të intensifikuar angazhimin me shtetet jo-njohëse brenda NATO-s dhe BE-së, për të lehtësuar rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit.

Mehaj, i cili ka shërbyer vetë në misione paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore me trupat norvegjeze, theksoi rëndësinë e përgatitjes psikologjike të pjesëtarëve të FSK-së. Ai u shpreh se mbështetja e vazhdueshme nga ekipet mjekësore dhe psikologjike është thelbësore, jo vetëm për ushtarakët, por edhe për familjet e tyre. Rehabilitimi, pushimi dhe ndarja e përvojave janë kritike për t’u përballur me sfidat e terrenit.

Kujtojmë se më 17 prill, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan kërkesën e Qeverisë për pjesëmarrjen e FSK-së në operacionin paqeruajtës. Tre ditë më vonë, më 20 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, autorizoi dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza. Kosova renditet ndër pesë shtetet e para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës. Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht data e dërgimit të trupave dhe numri i tyre.

Kjo nuk është hera e parë që FSK-ja angazhohet jashtë vendit. Në vitin 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa në 2022-shin në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Përveç misioneve ndërkombëtare, FSK-ja ka qenë e angazhuar edhe në operacione kërkim-shpëtimi dhe misione të tjera me karakter humanitar, si në Turqi apo Shqipëri.