Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI), përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit (DAK), shënoi Ditën Botërore të Akreditimit, duke theksuar rëndësinë thelbësore të akreditimit për cilësinë, sigurinë dhe integrimin ekonomik të Kosovës në tregjet evropiane.
Ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se kjo ditë shërben për të rikonfirmuar përkushtimin institucional ndaj cilësisë, sigurisë dhe integrimit evropian. Ajo shtoi se akreditimi, së bashku me standardizimin, metrologjinë dhe mbikëqyrjen e tregut, përbën shtyllën kryesore të infrastrukturës së cilësisë, e cila garanton besim te produktet, shërbimet dhe institucionet. Kusari-Lila bëri të ditur se MINTI po ndërmerr hapa konkretë për fuqizimin e kësaj infrastrukture dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Këto hapa përfshijnë ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale, përmirësimin e kornizës ligjore në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe ristrukturimin organizativ të ministrisë e agjencive të saj, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës.
Udhëheqësi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Boguslaw Gertruda, theksoi se Plani i Rritjes i BE-së ofron mundësi të rëndësishme për integrimin ekonomik të Kosovës. Ai shpjegoi se ky plan lehtëson përfshirjen e zinxhirëve industrialë të vlerës së Kosovës në Tregun e Vetëm të BE-së dhe në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku akreditimi dhe vlerësimi i konformitetit të produkteve luajnë një rol qendror. Gertruda shtoi se një sistem i besueshëm akreditimi është i domosdoshëm për bizneset, veçanërisht për eksportuesit, duke siguruar saktësinë e testimeve dhe paanshmërinë e inspektimeve. Kjo besueshmëri, sipas tij, redukton testimet e përsëritura, vonesat dhe kostot, duke ndihmuar Kosovën të diversifikojë eksportet dhe të forcojë konkurrueshmërinë ekonomike.
Përmes një video-mesazhi, Drejtoresha e Përgjithshme e organit belg të akreditimit BELAC dhe Presidente e Organizatës Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim, Maureen Logghe, vlerësoi lart punën e Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK). Ajo theksoi se ekipi i DAK-ut punon në një mjedis kërkues dhe në zhvillim të vazhdueshëm, duke u përballur me pritshmëri në rritje, fusha të reja teknike dhe kërkesa dinamike. Logghe shtoi se, pavarësisht sfidave teknologjike dhe standardeve të reja, puna e DAK-ut ka një ndikim konkret, duke mbështetur industrinë në demonstrimin e cilësisë dhe besueshmërisë, duke ndihmuar bizneset të rriten e të konkurrojnë, si dhe duke rritur besimin e konsumatorëve dhe shoqërisë në tërësi.
