Shpërthim në Strellc të Deçanit, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në fshatin Strellc të Deçanit, i cili dyshohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Arrestimi vjen pas një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në oborrin e një shtëpie në këtë fshat, më 9 qershor 2026.

Stacioni Policor në Deçan mori njoftimin për ngjarjen në Strellc të epërm më 9 qershor 2026. Zyrtarët policorë iu përgjigjën menjëherë vendit të ngjarjes, ku u takuan me personin në oborrin e shtëpisë së të cilit kishte ndodhur shpërthimi.

Pas një pune intensive hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, hetuesit rajonalë arritën të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin lidhur me këtë rast më 10 qershor 2026.

I dyshuari, pas intervistimit nga hetuesit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të Shtetit, është dërguar në ndalim për 48 orë.