Dita e nëntë e ngërçit institucional, Ramadani: Kosova rrezikon humbjen e investimeve të huaja

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me ditën e nëntë të ngërçit institucional në vend. Ai theksoi rëndësinë e stabilitetit politik, duke kritikuar mungesën e tij dhe pasojat negative në ekonomi dhe te investimet e huaja.

Ramadani u shpreh se ndërsa Kuvendi dhe Kosova janë zhytur në një bllokadë të thellë, tema e investimeve të huaja direkte ka mbetur në harresë.

“Askush nuk ka interes të investojë në një vend që i mungon stabiliteti. Kompanitë e mëdha evropiane dhe botërore po zgjerojnë operacionet e tyre në rajonin tonë, por Kosova nuk është pjesë e këtyre planeve”, ka theksuar deputeti.

Sipas tij, vendet fqinje të Kosovës kanë shënuar avancime të konsiderueshme ekonomike, ndërsa Kosova ka ngecur në vendnumëro.

“Fqinjët tanë tashmë na janë larguar me hapa të shpejtë në nivel ekonomik; ne, për fat të keq, kemi mbetur në stagnim, çka do të thotë një dobësim i vazhdueshëm”, pohoi ai.

Ramadani akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po pengon konstituimin e Kuvendit, duke bllokuar në këtë mënyrë edhe formimin e Qeverisë së re.

“Vetëvendosje ka pamundësuar konstituimin e organit legjislativ. Kjo ka çuar në bllokimin e Qeverisë së re, e cila do të duhej të ishte nën kontrollin e Kuvendit, që do të kërkonte përgjegjësi dhe llogaridhënie për politikat e saj”, përfundoi deputeti i AAK-së.