Gjashtë turistë kanë pësuar lëndime, pesë prej të cilëve kosovarë, nga një zjarr i rëndë që përfshiu një hotel në Vlorë në orët e para të së dielës. Flakët shpërthyen në hotelin “Brooklyn” në zonën e Lungomares, duke detyruar disa pushues të hidheshin nga dritaret e ballkonet.

Mjekët e Spitalit të Vlorës bënë të ditur se pesë nga të lënduarit janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa njëri po merr ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit bregdetar.

Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, shpjegoi për mediat se pushuesit ndodheshin në katin e dytë të hotelit kur shpërtheu zjarri. “Tre prej tyre kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve, duke pësuar fraktura në shtyllën kurrizore,” theksoi Breshanaj.

Ai shtoi se dy prej pushuesve kanë djegie veçanërisht të rënda. “Një paciente rrezikon jetën, pasi ishte djegur pothuajse 100 për qind, ndërsa një tjetër rreth 50 për qind. Të lënduarit janë në mosha të reja, rreth 25-30 vjeç. Ata janë nga Prishtina, Lipjani dhe një pacient nga Rrësheni, Shqipëri,” detajoi mjeku. Një nga turistët, i cili kishte lëndime më të lehta, u mbajt në repartin e kirurgjisë në Vlorë.

Policia e Vlorës e ka cilësuar ngjarjen si aksidentale. “Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ishte aksidental, i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në prizën e frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës.

Luan Salihu, 21 vjeç, nga Lipjani, një nga pushuesit kosovarë, rrëfeu për mediat se ndodhej në gjumë kur dëgjoi zhurma dhe të bërtitura. Ai tregoi se nuk kishte mundur të dilte nga dera për shkak të tymit të dendur dhe ishte hedhur nga ballkoni i katit të dytë, së bashku me bashkëshorten e tij. Salihu pësoi dëmtime në këmbë dhe po merr ndihmë mjekësore.

Një turist nga Polonia gjithashtu u hodh nga dritarja për t’i shpëtuar tymit dhe flakëve, por fatmirësisht nuk pësoi lëndime.

Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.