Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast kontrabandimi me substanca narkotike në pikën kufitare të Vërmicës. Gjatë operacionit, u sekuestruan 2.162 kilogramë marihuanë, e cila u zbulua në çantën e një udhëtari.
Incidenti ndodhi gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll fizik një autobus me udhëtarë. Gjatë verifikimeve u kontrolluan automjeti dhe bagazhet e pasagjerëve.
Njëri prej udhëtarëve, i pyetur nga zyrtarët doganorë nëse kishte diçka për të deklaruar, mohoi të kishte sende të tilla. Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të çantës së tij të krahut, zyrtarët zbuluan një qese plastike që përmbante një substancë të dyshuar narkotike. Pas peshimit, ajo rezultoi të ishte 2.162 kilogramë marihuanë.
Pas këtij zbulimi, autobusi u kontrollua edhe me skaner, por nuk u evidentuan parregullsi të tjera. Rasti i është raportuar menjëherë Policisë së Kosovës, ndërsa personi i dyshuar dhe substanca narkotike i janë dorëzuar organeve kompetente për procedim të mëtejshëm ligjor.
Dogana e Kosovës, përmes një njoftimi, theksoi përkushtimin e saj në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë dhe institucionet e tjera për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe trafikimit të narkotikëve, si dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.
