SHBA shpall “Los Tiguerones” organizatë terroriste; Senatori Rubio kritikon Meksikën

Senatori amerikan Marco Rubio ka shprehur kritika të ashpra ndaj Meksikës për ato që i cilësoi si masa të pamjaftueshme kundër karteleve të drogës, duke paralajmëruar se kërcënimi duhet adresuar “në një mënyrë a në një tjetër”. Kjo deklaratë u bë gjatë vizitës së tij në Ekuador, ndërkohë që Uashingtoni njoftoi edhe klasifikimin e grupit kriminal ekuadorian “Los Tiguerones” në listën amerikane të “organizatave të huaja terroriste”.

Senatori Rubio theksoi se zona të gjera të territorit meksikan nuk gjenden nën kontrollin efektiv të shtetit dhe se në këto rajone veprojnë organizata, të cilat ai i cilësoi si “narkoterroriste”.

“Në Meksikë ka territore të gjera që nuk qeverisen nga shteti”, deklaroi Rubio, duke e cilësuar këtë situatë si një kërcënim serioz për sigurinë rajonale.

Megjithatë, senatori amerikan pranoi se qeveria e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum ka shënuar përparime në luftën kundër karteleve, por, sipas tij, veprimet e Meksikës “nuk janë të mjaftueshme”.

Rubio nuk dha detaje mbi atë që nënkuptonte me paralajmërimin se kërcënimi duhet adresuar “në një mënyrë a në një tjetër”.

Në të njëjtën ditë, Shtetet e Bashkuara njoftuan klasifikimin e “Los Tiguerones” si “organizatë e huaj terroriste”, si pjesë e fushatës së administratës amerikane kundër grupeve kriminale dhe rrjeteve të trafikut të drogës në Amerikën Latine.

“Nuk bëhet fjalë për një mafie tipike, nuk bëhet fjalë për kriminelë, por bëhet fjalë për terroristë”, tha Rubio në Quito, duke e cilësuar Ekuadorin si një aleat të ngushtë të SHBA-së.

Ekuadori, i konsideruar dikur ndër vendet më të sigurta të Amerikës Latine, është përballur vitet e fundit me një rritje të theksuar të krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe dhunës mes grupeve rivale.

Pozicioni gjeografik e ka shndërruar Ekuadorin në një nyje kyçe për trafikun ndërkombëtar të drogës. Portet e tij në Oqeanin Paqësor dhe afërsia me Kolumbinë e Perunë, dy nga prodhuesit kryesorë të kokainës në botë, e kanë bërë vendin një qendër të rëndësishme eksporti.

Sipas të dhënave të cituara nga autoritetet amerikane, rreth 70% e kokainës që trafikohet drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kalon nëpërmjet Ekuadorit.

Senatori Rubio ndodhet në një turne në Amerikën Latine, ku pas Ekuadorit pritet të vizitojë Perunë, pasi më herët ka qëndruar në Kolumbi.

Sipas tij, grupet kriminale në rajon posedojnë “armatim dhe pajisje të ngjashme me ato të ushtrive të disa vendeve”.