Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas sulmeve iraniane me raketa balistike dhe dronë në Jordani, njoftoi të shtunën Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM.
Sipas CNN-it, këto janë vdekjet e para të ushtarëve amerikanë në luftën me Iranin që nga muaji mars.
“Më 17 korrik, dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane në Jordani u vranë gjatë luftimeve, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së dhe forcat partnere po mbroheshin nga sulmet iraniane me raketa balistike dhe dronë. Përveç kësaj, një pjesëtar i ushtrisë aktualisht rezulton i zhdukur në aksion”, thuhet në njoftimin e CENTCOM-it.
Katër ushtarë të tjerë amerikanë u evakuuan për trajtim mjekësor në spitale në Jordani, por ndërkohë janë liruar. Disa pjesëtarë të tjerë të personelit kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë rikthyer në detyrë.
Autoritetet ushtarake amerikane nuk kanë publikuar ende identitetet e dy ushtarëve të vrarë. CENTCOM bëri të ditur se emrat e tyre do të mbahen të fshehtë deri 24 orë pasi familjarët më të afërt të njoftohen zyrtarisht.
