Dy ndryshime kyçe që transformojnë futbollin evropian: UEFA zbulon rregullat e reja.
UEFA ka miratuar dy ndryshime thelbësore në rregulloren e saj, të cilat do të hyjnë në fuqi nga sezoni 2026/27 në të gjitha garat evropiane të klubeve.
Ndryshimi i parë ka të bëjë me sistemin e kartonëve të verdhë. Sipas rregullit të ri, një futbollist do të pezullohet pas grumbullimit të katër kartonëve të verdhë, në vend të tre siç ishte praktikuar deri tani. Pas këtij pezullimi fillestar, çdo pezullim i radhës do të vijë pas çdo dy kartonëve të verdhë shtesë, pra pas kartonit të gjashtë, të tetë, e kështu me radhë.
Ndryshimi tjetër lidhet me shfaqjen e kohës në stadium. UEFA ka vendosur të heqë praktikën e ndalimit të kronometrit në minutat 45:00 dhe 90:00, respektivisht në fund të pjesës së parë dhe të dytë. Me hyrjen në fuqi të rregullit të ri, ora zyrtare do të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje edhe gjatë kohës shtesë, duke shfaqur minutat shtesë në vazhdimësi – një sistem i ngjashëm me atë që aplikohet prej kohësh në futbollin anglez.
Sipas UEFA-s, këto risi synojnë ta bëjnë zhvillimin e ndeshjeve më të qartë dhe më transparent, si dhe të përmirësojnë funksionimin e garave evropiane për lojtarët, klubet dhe tifozët.
