**Ngrihet aktakuzë në Klinë: Dyshohet se vrau vëllain pas mosmarrëveshjes për pronën**

Prokuroria Themelore e Pejës, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj J.J., i dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, pasi dyshohet se vrau vëllain e tij në fshatin Bokshiq të Klinës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 mars 2026, rreth orës 15:00. Pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore ndërmjet viktimës, Faruk Isufi, dhe babait të tyre, i dyshuari J.J. dyshohet se ka marrë një armë zjarri nga shtëpia dhe ka shtënë katër herë në drejtim të vëllait të tij.

Si pasojë e plagëve të marra, Faruk Isufi pësoi gjakderdhje të madhe të brendshme dhe të jashtme, shkaktuar nga dëmtimi i arteries në këmbën e majtë, duke ndërruar jetë më pas në Spitalin Rajonal të Pejës.

Aktakuza thekson gjithashtu se i pandehuri J.J. ka mbajtur dhe posedon pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, së bashku me një karikator dhe 10 fishekë të të njëjtit kalibër, për të cilat nuk posedonte leje nga organet kompetente.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet. Kjo është bërë e ditur në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.