**Aktakuzë për vrasjen e vëllait në Bokshiq të Klinës**
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet J.J., i cili dyshohet se ka kryer vrasjen e rëndë të vëllait të tij dhe ka mbajtur armë pa autorizim.
Rasti tragjik ka ndodhur më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Bokshiq të Komunës së Klinës, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Aktakuza detajon se, pas një mosmarrëveshjeje pronësore mes viktimës dhe babait të tyre, i pandehuri dyshohet se ka marrë një armë zjarri nga shtëpia dhe ka shtënë katër herë në drejtim të vëllait.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka pësuar gjakderdhje të rëndë të brendshme dhe të jashtme, për shkak të dëmtimit të arteries në këmbën e majtë, dhe më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, J.J. akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armës. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka mbajtur një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, së bashku me një karikator dhe dhjetë fishekë të të njëjtit kalibër, pa pasur lejen e nevojshme nga organet kompetente.
Me ngritjen e aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.
