Tre të arrestuar në Deçan pas të shtënave me armë zjarri, dyshohet për tentativë vrasjeje

Tre persona janë arrestuar sot në Deçan, pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit, në fshatin Strellc i Epërm. Policia ka konfirmuar se objektivi i sulmit ishin katër persona, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Lajmi u konfirmua nga togeri Sheremet Elezaj i Policisë së Kosovës, i cili bëri të ditur se tre persona të dyshuar, meshkuj dhe madhorë, janë vënë në pranga.

Incidenti, i cili dyshohet se ka ndodhur rreth orës 05:00, shkaktoi angazhimin e menjëhershëm të njësive policore në vendin e ngjarjes. Gjatë operacionit, u sekuestrua një pistoletë, e cila dyshohet se u përdor në të shtëna, si dhe u gjetën dy gëzhoja. Elezaj theksoi se, pavarësisht natyrës së rëndë të ngjarjes, nuk ka pasur raportime për persona të lënduar.

Tutje, Elezaj njoftoi se Policia po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në konsultim me prokurorin kompetent, çështja është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.