Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur me emrin artistik “Cllevio”, është liruar nga burgu pas rreth gjashtë muajsh që nga ekstradimi i tij nga Dubai Arabe drejt Shqipërisë.
Sipas burimeve pranë artistit, mësohet se ai tashmë është jashtë dhe pritet që gjatë mbrëmjes së sotme të rikthehet në rrjetet sociale, ku do të ndajë më shumë detaje mbi zhvillimet e fundit.
Muajin e kaluar, Cllevio ishte transferuar nga qelia në spitalin rajonal për shkak të një komplikacioni shëndetësor, që kërkoi ndërhyrje të specializuar mjekësore jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.
Artisti u ekstradua nga Dubai më 25 tetor të vitit të kaluar, pasi kishte vuajtur gjashtë muaj burg në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përveç muzikës, ai njihet gjerësisht edhe si figurë aktive dhe shpeshherë polemizuese në rrjetet sociale.

Autoritetet shqiptare kishin bërë me dije se 39-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024 Gjykata e Apelit në Tiranë kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “përndjekja”. Ai akuzohet se për disa vite ka përndjekur fizikisht dhe përmes rrjeteve sociale reperin Rigels Rajku (Noizy) dhe familjarët e tij.
Po ashtu, në vitin 2024, Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 9 muaj burg për veprën penale “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Pritet që reagimi i tij i parë publik të tërheqë vëmendje të madhe në rrjet. /GazetaExpress/
