Aktivistët paralajmërojnë vazhdimin e protestave: Shteti nuk po e trajton me urgjencë vrasjen e Arlinda Zekajt
**Prishtinë** – Aktivistë të shoqërisë civile dhe familjarë të viktimave të femicidit kanë shprehur zhgënjimin e tyre me, siç theksojnë ata, mungesën e urgjencës nga ana e shtetit në trajtimin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe të rasteve të tjera të femicidit. Pas një takimi me Kryeprokurorin e Shtetit, Zejnullah Gashi, aktivistët paralajmëruan vazhdimin e protestave në të gjitha institucionet.
Gjatë takimit, protestuesit kanë shprehur qasjet dhe kërkesat e tyre. Kryeprokurori i Shtetit, nga ana e tij, theksoi se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për përcaktimin e përgjegjësive eventuale brenda sistemit të drejtësisë, lidhur me rastin e të ndjerës Arlinda Zekaj.
Aktivistja feministe, Liridona Sijarina, deklaroi pas takimit se ata kanë kërkuar që çështja e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe rastet e femicidit të trajtohen me urgjencë maksimale. Ajo theksoi se, pavarësisht faktit që rastet janë dërguar në Këshillin Prokurorial, ata kanë insistuar që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete dhe të sigurohet që asnjë person përgjegjës të mos jetë i paprekshëm brenda sistemit të drejtësisë.
Sijarina shprehu dyshime të thella për premtimet e institucioneve se do të ndiqen procedurat ligjore. Ajo theksoi se mungesa e një afati konkret kohor rrezikon që situata të përsëritet dhe të çojë në raste të ngjashme në të ardhmen.
“Ne parashtruam kërkesat tona dhe insistuam që Kryeprokurori i Shtetit, pavarësisht se i ka nisur rastet në Këshillin Prokurorial, ta marrë me urgjencë çështjen e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe të rasteve të femicidit,” tha Sijarina. “Ajo që u theksua dhe për çka e garantuam edhe Kryeprokurorin e Shtetit dhe koordinatorin kundër dhunës në familje, është se nuk do të ketë më njerëz të paprekshëm nga ata brenda sistemit. Këtë e dimë nga e kaluara, që ka pasur njerëz të paprekshëm dhe që i gjithë zinxhiri i sistemit të drejtësisë vazhdon të qeveriset dhe të mbahet nga njerëz që janë të paprekshëm. Por, i garantuam se, nëse do të ketë njerëz të paprekshëm në punën tonë, angazhimin tonë do ta kanalizojmë pikërisht drejt atyre që kanë për t’i ndalur këta njerëz të paprekshëm.”
Ajo shtoi: “Neve na u tha se do të ndiqen procedurat ligjore, gjë që për ne është një dozë dyshimi, të cilën e kemi parë edhe në të kaluarën, kur rastet merren me një procedurë të zakonshme dhe kur nuk na jepet një afat. Kjo mungesë urgjence rrezikon përsëritjen e historisë. Individët që me neglizhencën e tyre kontribuojnë në vrasjen e grave, shpesh përfundojnë duke u kthyer në institucione. Ne nuk do të tërhiqemi dhe nuk do ta ndalim angazhimin derisa t’i shohim të gjithë aktorët, neglizhenca e të cilëve ka kontribuuar në vrasjen e Arlindës, jo vetëm të shkarkohen nga puna, por edhe të burgosen. Kemi në konsideratë bllokada dhe do të insistojmë që këta njerëz të thonë në mënyrë definitive dhe të japin zotime. Kjo ka qenë kërkesa jonë që nga dita e parë. Do të insistojmë nëpërmjet metodave të ndryshme. Bllokada që kemi pasur dje ka rezultuar me këtë takim. Kemi ardhur këtu dhe ua kemi bllokuar derën. Një gjë të tillë do ta vazhdojmë edhe tutje, përderisa nuk marrim përgjigje konkrete nga secili institucion.”
Sijarina bëri të ditur se të shtunën, në orën 12:00, është thirrur një protestë kombëtare për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi.
