**Prishtina Prezanton “NOËL 2026”: 15 Aktivitete Kulturore dhe Sociale deri më 26 Dhjetor**

**Prishtinë** – Është prezantuar platforma “NOËL 2026”, një koncept i ri që po organizohet për herë të parë në Kosovë dhe që bazohet në një protokoll të veçantë, ku theksi vihet te respekti për hapësirën, traditën dhe të gjithë pjesëmarrësit. Kështu bëhet e ditur nga organizatorët e eventit.

Ky edicion i “NOËL 2026” parashikon 15 aktivitete të ndryshme kulturore dhe sociale, të cilat do të zhvillohen në Prishtinë deri më 26 dhjetor, gjatë periudhës së Krishtlindjeve. Gjatë këtyre aktiviteteve do të gërshetohen muzika, kultura dhe tradita. Motoja e këtij evenimenti është: “Të ndryshëm me tradita, të bashkuar në respekt”.

Përfaqësuesi i kompanisë “A Menaxhment” theksoi se ky aktivitet kulturor synon të promovojë paqen, bashkëjetesën dhe traditën shqiptare. “Ky aktivitet kulturor, i cili do të promovojë paqen dhe bashkëjetesën si antidot ndaj dhunës, do të organizohet në frymën e Krishtlindjeve në Kosovë. Ai nis që tani me 15 aktivitete të ndryshme, duke përfshirë ato sociale, bamirëse dhe kulturore në Prishtinë, dhe përfundon më 26 dhjetor, me një eveniment special dhe një performancë artistike që do të promovojë paqen, bashkëjetesën dhe tolerancën në Kosovë, me qëllim që shqiptarët të shërbejnë si shembull për këtë,” tha ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se aktiviteti do të mbahet në Qendrën Kulturore “Bogdani Polis”. Ai shtoi se në kuadër të këtij organizimi do të ketë performanca nga DJ të rinj nga Evropa, duke theksuar se evenimenti do të zhvillohet sipas një protokolli të veçantë.

“Performancat e DJ-ve të rinj nga Evropa do të zhvillohen sipas një protokolli të veçantë, duke respektuar institucionin. Aktiviteti do të mbahet në Qendrën Kulturore ‘Bogdani Polis’, e cila është një sallë e posaçme koncertale për organizime të ngjashme. Ekipi menaxherial shpreh krenarinë që kryeqyteti ka mundësinë t’i ofrojë një eveniment të tillë rinisë së Prishtinës. Kryeqyteti e meriton një performancë të tillë, e cila do ta ngrejë atë në një nivel tjetër, ashtu siç Prishtina synon,” deklaroi Rama.