Në Prishtinë, është hapur një ekspozitë kushtuar Çamërisë, duke sjellë para publikut dokumente dhe fotografi historike që dëshmojnë tragjedinë e popullsisë shqiptare të këtij rajoni. E organizuar nga Shoqata “Çamëria”, kjo ekspozitë synon të paraqesë vuajtjet e shqiptarëve çamë, siç raporton Ekonomia Online.

Gjatë ceremonisë së hapjes, sekretari i Shoqatës “Çamëria”, Isuf Kuçi, theksoi historikun e gjatë dhe punën e pandërprerë të shoqatës për çështjen çame. Ai shpjegoi se për dhjetë vjet, Shoqata ka organizuar “Javën Çame” çdo vit, një manifestim kombëtar kushtuar historisë dhe kulturës së shqiptarëve të Çamërisë. Kuçi shtoi se shoqata ka bashkëpunuar me homologen e saj në Tiranë, duke ndërmarrë aktivitete të përbashkëta në shërbim të kauzës kombëtare çame. Ai vuri në dukje angazhimin e shoqatës për të sensibilizuar opinionin publik dhe institucionet vendore e ndërkombëtare, duke ngritur zërin për njohjen e gjenocidit grek dhe për të drejtat e mohuara të shqiptarëve çamë, si dhe për vendosjen e drejtësisë historike përmes takimeve, memorandumeve dhe konferencave.

Në të njëjtën linjë, kryetari i shoqatës, Nexhmi Muçiçi, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për Çamërinë. “Çamëria është një lule që ka nevojë të ujitet çdo ditë, dhe ne po kontribuojmë që brezat e rinj të mos e harrojnë,” u shpreh ai. Muçiçi shtoi se, pavarësisht përpjekjeve 82-vjeçare të Greqisë për ta zvarritur dhe fshirë këtë çështje nga kujtesa, shqiptarët nuk do të harrojnë. Ai bëri një krahasim me Kosovën, duke thënë se “nëse njëra nga arteriet kryesore të kombit shqiptar, Kosova, është rikuperuar, arteria tjetër, ajo e Çamërisë që na kullon gjak tash e 82 vite, ne do ta ngjallim, do t’i japim oksigjen dhe do ta bëjmë ashtu siç e mendojmë.”

Ambasadori i paqes, Arton Hoti, e cilësoi ekspozitën si një dëshmi të gjallë të vuajtjeve dhe sakrificës së shqiptarëve në Çamëri. “Është detyrë dhe obligim kombëtar i të gjithëve të mbështesim fuqishëm dhe të mbrojmë vlerat tona, të ruajmë kujtimet dhe historitë, duke i treguar botës mbarë se Çamëria është Shqipëri,” u shpreh ai.

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci, bëri thirrje për veprim konkret. “Të flasim për Çamërinë është e rëndë, por të flasim e të mos veprojmë është edhe më e rëndë. Asnjë gjë nuk çlirohet pa mund dhe sakrificë. I bëj thirrje çdo shqiptari të angazhohet për çlirimin e atyre trojeve,” tha Geci, duke kujtuar se qëllimi i luftës së UÇK-së ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, përfshirë Çamërinë.

Ismail Selmani, nga Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin”, theksoi nevojën për bashkim. “Çamëria është një vend që vajton dhe qan akoma. Shqiptarët duhet të ribashkohen e jo të copëtohen. Çamëria ka pasur të njëjtin fat me trojet tona të Dardanisë, të lara me gjak,” u shpreh Selmani, duke shtuar se ndërgjegjësimi shpirtëror për këto padrejtësi shekullore është thelbësor.

Kjo ekspozitë është pjesë e “Javës Çame”, në kuadër të së cilës janë organizuar edhe akademi përkujtimore, tribuna shkencore, homazhe, aktivitete kulturore dhe takime të ndryshme sensibilizuese.