“Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut”, Ramush Haradinaj shpreh ngushëllime për vdekjen e Faik Dodës
Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit dhe profesorit të mirënjohur, Faik Doda.
Në një mesazh publik, Haradinaj e përshkroi Dodën si një figurë që lirinë e Kosovës nuk e shihte thjesht si ideal, por si një mision të shenjtë, të cilit i ishte përkushtuar pa rezervë gjatë gjithë jetës.
Si profesor, sipas Haradinajt, Faik Doda edukoi dhe frymëzoi gjenerata të tëra të rinjsh me ndjenjat e atdhedashurisë dhe qëndresës ndaj pushtuesit.
Ai kujtoi se Doda iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) së bashku me shumë të rinj, përfshirë edhe ish-nxënës të tij.
Haradinaj theksoi se edhe pas përfundimit të luftës, Doda vazhdoi të kontribuonte aktivisht në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në çdo detyrë të ngarkuar.
Me shkrimin e tij, Haradinaj theksoi: “Ngushëllimet më të sinqerta familjes Doda, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën nga afër. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut. U prehsh në paqe!”
Lajmi për ndarjen nga jeta të profesorit dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Faik Doda, ka shkaktuar pikëllim të thellë te familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe mijëra nxënës që njohën dhe vlerësuan kontributin e tij të vyer në arsim dhe në çështjen kombëtare.
