**17 punëtorë të KEK-ut humbën jetën në vitin 2026, Sindikata paralajmëron grevë për kushte dhe paga më të mira**

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka bërë të ditur se 17 punëtorë të kësaj korporate kanë humbur jetën gjatë vitit 2026. Sipas tij, katër prej tyre vdiqën si pasojë e aksidenteve fatale në punë, ndërsa për 13 të tjerë dyshohet se vdekjet lidhen me sëmundje profesionale, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj gazrave helmues, pluhurit dhe kushteve të rënda të punës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Llumnica theksoi rrezikshmërinë e vazhdueshme të punës në KEK. “Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës gjithmonë janë të rrezikuar, edhe në shëndet edhe në punë, sepse natyra e punës është e vështirë. Vetëm gjatë vitit 2026 kemi pasur 17 punëtorë të cilët kanë vdekur,” citohet ai të ketë thënë. Ai shtoi se, duke u bazuar te gazrat helmues, pluhuri dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shëndet si pasojë e procesit të punës, sindikata beson se 13 nga këto vdekje janë nga sëmundje profesionale.

Përkundër kushteve të rrezikshme dhe natyrës jetike të punës së tyre, Llumnica theksoi se pagat e punëtorëve nuk janë të kënaqshme. Kjo pakënaqësi çoi në protestën e zhvilluar javën e kaluar. Pas saj, të mërkurën, sindikata zhvilloi negociata me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, të cilët kërkuan dy deri në tri ditë kohë për të shqyrtuar kërkesat e punëtorëve.

Në rast se nuk do të ketë një përgjigje pozitive, Llumnica paralajmëroi se protesta dhe greva e paralajmëruar do të vazhdojnë. “Për këtë arsye në KEK gjithmonë ekziston një rrezik, gjithmonë ekzistojnë kushte të vështira, mirëpo pagat nuk janë të kënaqshme,” u shpreh ai.

Kërkesat kryesore të punëtorëve janë ngritja e pagave dhe përfitimi i pagës së 13-të, njësoj si punëtorët e sektorit publik. Ai e konsideroi të pakuptimtë që punëtorët e KEK-ut, pavarësisht rrezikshmërisë së lartë të punës dhe rëndësisë strategjike të shërbimit që ofrojnë, të mos përfitojnë nga kjo pagë shtesë.

Nënkryetari i sindikatës shtoi se punëtorët ndihen të diskriminuar. Sipas tij, rreth 30 milionë euro janë rialokuar nga ndërmarrjet publike për pagesën e pagës së 13-të për sektorin publik, ndërsa KEK-u nuk ka përfituar nga kjo për punëtorët e vet. “Patjetër që ndihemi të diskriminuar dhe kjo është arsyeja pse po e shprehim këtë pakënaqësi,” theksoi Llumnica për Ekonomia Online.