Filmi ‘DUA’ përzgjidhet për Festivalin e Kanës, premierën botërore në ‘Semaine de la Critique’

Filmi i metrazhit të gjatë, ‘DUA’, një bashkëprodhim i Kosovës, Francës dhe Zvicrës, është përzgjedhur për seksionin prestigjioz ‘Semaine de la Critique’ të Festivalit të Filmit në Kanë. Me regji të Blerta Bashollit dhe bashkëskenar me Nicole Borgeat, filmi do të shënojë aty premierën e tij botërore.

Lajmin e bëri të ditur Ambasada e Francës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj përzgjedhjeje për kinematografinë rajonale.

Ky projekt kinematografik ka marrë mbështetje nga institucione të rëndësishme si Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinemasë dhe Imazhit të Animuar (CNC) në Francë, Zyra Federale e Kulturës në Zvicër, ARTE, Eurimages, si dhe nga partnerë të ndryshëm zviceranë dhe kosovarë.

Filmi ‘DUA’ rrëfen historinë e një vajze të re që kërkon identitetin e saj në Kosovën e viteve 1990 – një rrëfim i ndjeshëm, i frymëzuar nga përvojat personale të regjisores Blerta Basholli. Kjo histori e ka impresionuar edhe ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, i cili vitin e kaluar pati vizituar xhirimet e filmit.