FSK thellon bashkëpunimin strategjik me SHBA-në, diskutime për të ardhmen dhe anëtarësimin në NATO

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim Zëvendës Shefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), Gjeneral Brigade Chris A. McKinney.

Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit të deritanishëm midis Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe USEUCOM, si dhe identifikimi i mundësive për zgjerimin e këtij partneriteti strategjik në të ardhmen.

Gjenerali Jashari e informoi Gjeneralin McKinney rreth zhvillimeve dhe arritjeve të FSK-së, duke theksuar planet strategjike të forcës dhe aspiratën e saj të palëkundur për anëtarësimin në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Dy gjeneralët vlerësuan gjithashtu kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku pritet që së shpejti të dislokohet kontingjenti i parë kosovar.

Në përfundim të takimit, Gjenerali McKinney e falënderoi Gjeneralin Jashari për bashkëpunimin e frytshëm dhe udhëheqjen e treguar gjatë fazës finale të procesit të transformimit të FSK-së. Ai ritheksoi përkushtimin e USEUCOM për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së në rrugën e saj drejt modernizimit dhe integrimit euroatlantik.