Sot, në Teatrin ‘Petro Marko’ në qytetin e Vlorës, po mbahen homazhe në nder të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht. Në ceremoni është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë po i japin lamtumirën e fundit gazetarit, i cili ndërroi jetë tragjikisht në një aksident.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në homazhe, u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të të ndjerit. Pas daljes nga ambientet e teatrit, ai iu drejtua gazetarëve, duke shprehur dhimbjen për humbjen e kolegut Enrik Mehmeti.

Lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, në moshën 40-vjeçare, tronditi opinionin publik mbrëmjen e së shtunës. Sipas të dhënave paraprake të policisë, Mehmeti po udhëtonte me një motor me katër rrota në plazhin e Porto Noves, në Zvërnec. Dyshohet se, si pasojë e një manovre të gabuar, ai humbi kontrollin e mjetit dhe motori u rrokullis disa herë, duke i shkaktuar plagë fatale.

Enrik Mehmeti ishte një figurë e njohur e medias, duke raportuar për më shumë se dy dekada ngjarjet më të rëndësishme nga Vlora dhe duke u kthyer në një zë të besueshëm dhe të referuar për qytetarët.

Fillimet e tij në gazetari datojnë që nga ngjarjet e vitit 1997, kur, ndonëse vetëm 11 vjeç, u angazhua me përkthime në kampin e operacionit ‘Alba’. Në atë periudhë, ushtarët italianë kishin ardhur në Shqipëri për të rivendosur stabilitetin pas trazirave që kishin përfshirë vendin.

Pak vite më vonë, ai nisi raportimet nga terreni, duke përcjellë te lexuesit dhe shikuesit informacione të ndryshme nga politika, kronika, kultura dhe sporti. Ai u shqua si një zë me peshë për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në qytetin bregdetar.