Policia italiane shkatërron “bankën sekrete” të mafias kineze, qarkullonte deri në 300 milionë euro për drogën

Një operacion i gjerë i policisë italiane ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti financiar klandestin, i cilësuar si “banka sekrete” e mafias kineze, e cila dyshohet se ka qarkulluar deri në 300 milionë euro për trafik droge dhe pastrim parash. Autoritetet dyshojnë se përmes kësaj “banke të fshehtë” kanë kaluar qindra miliona euro gjatë tre viteve të fundit, të përdorura nga grupe kriminale për trafik droge dhe pastrim parash.

Sipas hetimeve, qendra e rrjetit ndodhej në qytetin e Pratos, pranë Firences, dhe drejtohej prej vitit 2021 nga një shtetas kinez. Organizata funksiononte si një ndërmjetës global për grupet e krimit të organizuar, duke mundësuar pagesa për ngarkesa të mëdha droge pa lëvizje fizike të parave dhe duke garantuar anonimitet të plotë.

Policia italiane njoftoi se ky sistem realizonte transferta virtuale parash mes Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës. Vetëm në tre vitet e fundit, përmes tij janë qarkulluar nga 80 deri në 100 milionë euro çdo vit.

Ndër klientët e këtij rrjeti ishin organizata shqiptare të trafikut të drogës që operojnë në Itali, si dhe grupe të mafias italiane.

Si pjesë e këtij operacioni, janë arrestuar 41 persona në Itali dhe Spanjë, të akuzuar për vepra penale si: organizatë kriminale, trafik droge, pastrim parash dhe lehtësim të emigracionit të paligjshëm.

Hetimet zbuluan gjithashtu se një degë e organizatës menaxhonte një rrjet të paligjshëm imigrimi nga Kina drejt Europës. Emigrantët transportoheshin fillimisht drejt Beogradit, prej nga kalonin më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian, shpesh në kushte çnjerëzore, me destinacion final Italinë.

Autoritetet italiane e konsiderojnë këtë operacion si një nga goditjet më domethënëse të viteve të fundit kundër rrjeteve financiare që mbështesin trafikun ndërkombëtar të drogës dhe aktivitetet e krimit të organizuar.