**Agjentja e Haalandit mohon marrëveshjen me Riquelmen, kontakton personalisht Florentino Perezin**
Thashethemet që lidhnin sulmuesin norvegjez Erling Haaland me projektin e kandidatit për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, janë hedhur poshtë kategorikisht pas zhvillimeve të fundit.
Gazeta spanjolle “Marca” bën me dije se agjentja e Haalandit, Rafaela Pimienta, ka kontaktuar personalisht presidentin e Real Madridit, Florentino Pérez, mbrëmjen e kaluar. Ajo mohoi prerë ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje mes futbollistit dhe Enrique Riquelmes, i cili synon presidencën e klubit madrilen.
Pimienta kërkoi të sqaronte situatën pas zërave që qarkulluan gjerësisht në mediat spanjolle dhe rrjetet sociale, ku pretendohej se Erling Haaland kishte arritur një marrëveshje paraprake me Riquelmen në rast se ky i fundit do të fitonte zgjedhjet presidenciale te Real Madrid.
Ky kontakt i drejtpërdrejtë me Perezin shihet si një përpjekje për të shmangur keqkuptimet dhe për të ndalur valën e spekulimeve rreth të ardhmes së sulmuesit të Manchester City, të cilat morën hov ditët e fundit.
Ndërkohë, Haaland mbetet një prej emrave më të dëshiruar në tregun e transferimeve, shpesh i lidhur me një kalim të mundshëm në Madrid. Megjithatë, sipas informacionit më të fundit të “Marca”-s, një marrëveshje mes lojtarit dhe Enrique Riquelmes nuk ekziston.
